NATO emëron përfaqësuesin e Lartë për Ukrainën: Pikë qendrore mes Aleancës dhe Kievit

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ka bërë të ditur emërimin e Përfaqësuesit të Lartë për të udhëhequr Përfaqësimin e NATO-s në Ukrainë (NRU).
Patrick Turner do të marrë postin në muajin shtator, ndërsa më parë ai ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet dhe si Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes dhe Planifikimin, si dhe në një sërë postesh të larta të shërbimit civil për Mbretërinë e Bashkuar.
“Patrick Turner sjell vite udhëheqjeje dhe përvojë në këtë post. Si një nëpunës publik i përkushtuar, ai ka një histori të fortë për të dhënë rezultate. Jam i sigurt se ai do të shkëlqejë në këtë rol të rëndësishëm ndërsa NATO vazhdon të rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën”, u shpreh Stoltenberg teksa përshëndeti emërimin e Turnerit.
Nga ana e tij, Turner tha se ndihet i nderuar me postin e ri “si Përfaqësues i Lartë i NATO-s në Ukrainë. Mezi pres të drejtoj Përfaqësimin e NATO-s dhe të punoj shumë ngushtë me autoritetet ukrainase dhe me aleatët dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën.”
Si Përfaqësues i Lartë, z. Turner do të drejtojë NRU-në dhe do të veprojë si një pikë qendrore për angazhimin e NATO-s me autoritetet ukrainase në Kiev.
Ai do të koordinojë përpjekjet e NATO-s dhe do t’i japë Aleancës vlerësime dhe këshilla për situatën në Ukrainë.
Në Samitin e NATO-s në Uashington, aleatët ranë dakord të krijojnë Asistencën e Sigurisë dhe Trajnimin e NATO-s për Ukrainën (NSATU) për të koordinuar më mirë sigurimin e pajisjeve ushtarake dhe trajnimin për Ukrainën.
Kjo bazohet në mbështetjen e paprecedentë të NATO-s për Ukrainën për t’u mbrojtur kundër agresionit rus.
Aleatët u zotuan gjithashtu për ndihmë afatgjatë të sigurisë për Ukrainën me një bazë minimale prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm dhe për të siguruar nivele të qëndrueshme të asistencës së sigurisë për Ukrainën që të mbizotërojë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



