Evropa nën valët ekstreme të të nxehtit, temperaturat kalojnë 40 gradë Celsius në shumë kryeqytete të BE-së

Botë | 2 vite më parë

Evropa aktualisht po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, me temperaturat në shumë vende që shkojnë mbi 40 gradë Celsius.  Të mërkurën në Itali, Ministria e Shëndetësisë atje lëshoi alarm të kuq të ‘kategorisë 3’ në 13 qytete të mëdha, përfshirë Romën, Bolonjën, Firencen, Palermon dhe Triesten. Si rezultat, autoritetet provinciale në shumë rajone kanë zbatuar masa urgjente, si ndalimi i punës në natyrë nga ora 12:30 deri në orën 16:00 për punëtorët e bujqësisë dhe ndërtimit. 

Instituti Kombëtar Meteorologjik Spanjoll (AEMET) paralajmëroi për një valë të të nxehtit, duke theksuar se “ditët më të pafavorshme do të jenë të enjten dhe të premten, përveç në bregdetin e Mesdheut, ku kushtet do të arrijnë kulmin të shtunën”. “Temperaturat mund të kalojnë në nivel lokal prej 44 gradë Celsius. Netët do të jenë jashtëzakonisht të ngrohta”, tha AEMET.

Në Greqi, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar (EMY) raportoi se masat ekstreme të ajrit të nxehtë që mbulojnë pjesën më të madhe të Evropës Lindore dhe Ballkanit do të vazhdojnë të ndikojnë në të gjithë vendin, me temperatura që pritet të arrijnë kulmin nesër.

Temperaturat parashikohen të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në pjesët veriore të Greqisë dhe ndërmjet 41-42 gradë Celsius në Greqinë qendrore dhe perëndimore. Në Bullgari, Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë (NIMH) parashikon temperatura midis 38 dhe 43 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit, duke përjashtuar provincat e Detit të Zi.

Në mënyrë të ngjashme, Administrata Kombëtare e Motit e Rumanisë ka lëshuar një alarm të kuq për nxehtësinë ekstreme që ka prekur pjesën më të madhe të vendit, me temperatura që variojnë nga 37 deri në 42 gradë Celsius.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme