Irani hedh poshtë raportet për planin e dyshuar për të vrarë Trump

Botë | 2 vite më parë

Irani ka hedhur poshtë raportet për një plan të dyshuar për të vrarë ish-presidentin amerikan Donald Trump, i cili u plagos gjatë një atentati në një tubim elektoral fundjavën e kaluar.

Transmetuesit amerikanë CNN dhe NBC raportuan se Shërbimi Sekret Amerikan ka rritur sigurinë për Trump në javët e fundit,  pasi mori informacion mbi një komplot të mundshëm iranian për ta vrarë atë.

Një zëdhënës i misionit të Iranit në OKB i hodhi poshtë raportet duke i quajtur “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

“Për Iranin, Trump është një “kriminel” që dha urdhrin për të vrarë gjeneralin iranian Qassem Soleimani në vitin 2020″, u citua të thoshte zëdhënësi nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr.

“Trump duhet të dënohet dhe ndëshkohet për këtë, por Irani ka zgjedhur rrugën ligjore në këtë drejtim”, shtoi ai.

Soleimani, i cili kishte udhëhequr Forcën elitare Quds të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vra në një sulm me dronë amerikanë në Irak në vitin 2020, ndërsa Trump ishte president.

Sipas raporteve, nuk ka asnjë provë që komploti i supozuar iranian është i lidhur me atentatin ndaj Trumo në tubimin elektoral në Pensilvani.

Trump, i cili po garon për një mandat të dytë presidencial, i mbijetoi sulmit me lëndime në vesh, por një person në turmë u vra. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme