Atentati ndaj Trump, nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan për Siguri të Brendshme tha se ka nisur një hetim për të kuptuar se si e ka menaxhuar Shërbimi Sekret sigurinë për ish-presidentin Donald Trump, në ditën kur ndaj ish-presidentit u bë atentat.
Përmes një njoftimi të shkurtër të publikuar në ueb-faqen e Inspektorit të Përgjithshëm, agjencia tha se objektivi i hetimit është “vlerësimi i procesit të Shërbimit Sekret për sigurinë në tubimin e ish-presidentit Trump më 13 korrik 2024”. Në njoftim nuk u bë i ditur se kur ka nisur hetimi.
Dështimi në masat e sigurisë, ndodhi pavarësisht një kërcënimi ndaj jetës së zotit Trump nga Irani, që kishte çuar në rritjen e sigurisë për ish-presidentin në ditët para tubimit të së shtunës. Drejtoresha e Shërbimit Sekret Kim Cheatle tha se agjencia e kupton rëndësinë e rishikimit të urdhëruar nga Presidenti Biden. Ajo tha se do të bashkëpunojë me hetimet si dhe do të marrë pjesë në seancat e thirrura nga Kongresi për të hetuar çështjen.
Ajo tha se agjencia po punonte për të kuptuar se si ndodhi sulmi i së shtunës dhe për t’u siguruar që diçka e tillë, të mos përsëritej më kurrë. .Shërbimi Sekret ka afro 7.800 anëtarë që janë përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve, nënpresidentëve, familjarëve të tyre, ish-presidentëve, familjarë të tyre dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit amerikan.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



