Komisioni Evropian kritikohet për jotransparencë në marrëveshjet për vaksinat

Komisioni Europian ka vepruar në mënyrë të gabuar kur ka redaktuar detajet e marrëveshjeve me vlerën e miliarda eurove për sigurimin e vaksinave te COVID gjatë pandemisë së koronavirusit.
Kështu u shpreh të mërkurën, (17 korrik) Gjykata e Përgjithshme e BE-së sipas së cilës organi ekzekutiv i bllokut ka dështuar të tregojë sesi publikimi i detajeve për kompensim në rast problemesh me vaksinat do të dëmtonte interesat tregtare të grupeve farmaceutike që furnizonin vaksinat si dhe ka dështuar në testimin e interesit të publikut duke mbajtur sekret emrat e zyrtarëve europianë të përfshirë në këto marrëveshje.
Vendimi i gjykatës përbën një fitore për ligjvënës dhe qytetarë të BE-së që kanë kërkuar detajet e marrëveshjeve me vlerën e 2.7 miliardë euro të negociuara nga komisioni për blerjen e vaksinave të Covid.
Komisioni i cili po përballet me problem ligjore edhe për faktin se ka mbajtur sekret dhe ka fshirë mesazhet e këmbyera me kreun e kompanisë Pfizer për blerjen e vaksinave, ka ofruar vetëm versione të redaktuara të kontratave të nënshkruara, duke argumentuar se detajet që nuk janë publikuar pasi do të rrezikonin marrëdhëniet tregtare me kompanitë farmaceutike, veçanërisht për sa i përket detyrimeve financiare dhe kompensimeve në rastet kur vaksinat dilnin difektoze.
Komisioni gjithashtu u shpreh se kishte qenë e nevojshme të mbaheshin sekret identitetet dhe fjalët e përdorura nga anëtaret e ekipit të tij që negocioi marrëveshjet.
Por sipas gjykatës bërja publike e këtyre emrave dhe detajeve do të tregonte nëse anëtaret e ekipit kishin ndonjë konflikt interesi ose jo. Komisioni ndërkohë ka kohë deri në muajin shtator për ta apeluar vendimin në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



