Von der Leyen, Antonio Kosta dhe Kaja Kallas, Gjermania mbështet kupolën e re drejtuese të BE-së

Botë | 2 vite më parë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz lavdëroi udhëheqjen e propozuar të Bashkimit Evropian për vitet e ardhshme, si bazë për “një të ardhme të mirë evropiane” dhe u kërkoi liderëve të tij kombëtarë të mërkurën të bien dakord për paketën në një samit këtë javë.

Tre grupe politike kryesore kanë rënë dakord që konservatorja gjermane, Ursula von der Leyen duhet të marrë një mandat të dytë si presidente e Komisionit Ekzekutiv të BE-së, ndërsa ish-kryeministri portugez, Antonio Kosta, një socialist, duhet të marrë drejtimin e Këshillit Evropian, forumi ku përfaqësohen 27 vendet anëtare. Ai do të pasonte Charles Michel në kryesimin e samiteve të BE-së.

Propozimi do ta bënte kryeministren estoneze Kaja Kallas, një mbështetëse të vendosur të Ukrainës dhe një liberale pro-biznesit, kryediplomatin e BE-së, duke pasuar, Josep Borrell. Tani ajo ka nevojë për mbështetjen e liderëve të BE-së dhe von der Leyen do të duhet të përballet me një votim të fshehtë në Parlamentin Evropian për të fituar rizgjedhjen.

“Nga këndvështrimi im, këto përbëjnë një formacion të mirë dhe janë vendime të qarta për një të ardhme të mirë evropiane,” u tha Scholz ligjvënësve në Berlin përpara një samiti të BE-së të enjten dhe të premten.

Scholz tha se ai shpreson shumë që samiti të bie dakord për postet kryesore. “Ne nuk mund të përballojmë një ngërç në këto kohë të vështira. Qytetarët tanë nuk presin debat për punë, por punë të shpejtë në institucionet evropiane”, shtoi ai.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në fillim të këtij muaji sollën fitore për të djathtën ekstreme, veçanërisht në Francë dhe Gjermani, ndërsa partitë qeverisëse të këtyre dy vendeve performuan shumë dobët. Në Gjermani, blloku kryesor i opozitës konservatore – të cilit i përket von der Leyen – ishte forca politike më e fortë.

Udhëheqësit e BE-së nuk arritën një marrëveshje përfundimtare për kandidatët në një samit joformal më 17 qershor.

“Tre në katër gjermanë, tre në katër evropianë, nuk votojnë për partitë populiste dhe ekstremiste, por për forcat pro-evropiane, dhe ne jemi të detyruar ndaj tyre – dhe kjo nuk duhet të përfshihet në diskutim tani”, tha Scholz.

“Kjo është arsyeja pse unë kërkova që komisioni të mos varej në parlamentin (evropian) nga forcat ekstremiste dhe populiste,” shtoi ai.

“Ky do të kishte qenë një kumar i keq. Ne kemi nevojë për më shumë unitet dhe jo më pak – kështu që është mirë që ka një shumicë të qartë për partitë konstruktive dhe pro-evropiane në Parlamentin Evropian, dhe unë pres që Komisioni i ardhshëm të mbështetet pikërisht në një shumicë të tillë në parlament.” AP

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme