Seuli: Prova e Phenianit me raketë duket se ka dështuar

Lëshimi i një rakete balistike drejt detit në lindje të Gadishullit Korean duket se ka dështuar, tha të mërkurën ushtria e Koresë së Jugut. Raketa duket se e ka origjinën nga Pheniani, tha shefi i shtatmadhorisë së Koresë së Jugut. Japonia njoftoi se një raketë balistike, që besohet të jetë e Koresë së Veriut, duket se ka rënë në det.
Në fillim të javës, Koreja e Veriut kritikoi dislokimin e një aeroplanmbajtëse amerikane që do t’u bashkohet stërvitjeve të përbashkëta me Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe paralajmëroi për një “demonstrim të ri të pakalueshëm parandalimi”.
Aeroplanmbajtësja amerikane me energji bërthamore, “Theodore Roosevelt”, mbërriti të shtunën në portin e qytetit Busan të Koresë së Jugut për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake më vonë këtë muaj me vendin pritës dhe Japoninë, thanë zyrtarët e marinës.
Lëshimi i raketës vjen një ditë pas shënimit të 74-vjetorit të fillimit të Luftës Koreane.
Media shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA, tha të mërkurën se në Phenian ishte mbajtur një tubim masiv për të përkujtuar përvjetorin, duke e quajtur atë një ditë “beteje kundër imperializmit amerikan” ndërsa i cilësoi Shtetet e Bashkuara si armikun kryesor.
Kohët e fundit, Koreja e Veriut ka lëshuar drejt Koresë së Jugut qindra balona të mbushura me mbeturina. Një skuadër e madhe ushtarake e Phenianit ndërtoi fortifikime të reja pranë kufirit të fortifikuar rëndë me Korenë e Jugut, njoftoi Seuli.
Sipas VOA
/rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




