BE paralajmëron Gjeorgjinë, Borrell : Dera e anëtarësimit mund të mbyllet nëse zbaton ligjin për agjentët e huaj

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian Zhozep Borrell i tërhoqi vëmendjen Gjeorgjisë të hënën duke e paralajmëruar se mund t’i ndërpritet rrugëtimi për t’u bashkuar me Bllokun, pasi Brukseli po vlerëson mënyrat për të ndëshkuar autoritetet e këtij vendi nëse zbatojnë ligjin për agjentët e huaj. “Dera që Gjeorgjia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian është e hapur, tha Borrell në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së, por nëse qeveria vazhdon në të njëjtën rrugë, kjo derë do të mbyllet dhe do të jetë populli gjeorgjian që do të vuajë pasojat”, theksoi ai.
Partia në pushtet në Gjeorgji, vend i cili u bë zyrtarisht kandidat për t’u bashkuar me BE-në në dhjetor të vitit të kaluar, këtë muaj miratoi një ligj të diskutueshëm për ndikimin e huaj, që kritikët thonë se ka si model një legjislacion të ngjashëm rus, të cilin Moska e përdor për të luftuar kundërshtarët. Ligji u dënua nga mbështetësit perëndimorë të Gjeorgjisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Blloku 27 anëtarësh po vlerëson përgjigjet ndaj vendimeve të partisë qeverisëse ‘Ëndrra Gjeorgjiane’. Ndërsa Borrell tha se lëvizjet fillestare që pritet të diskutohen nga ministrat e jashtëm mund të përfshijnë ndalimin e financimit për forcat e sigurisë të Gjeorgjisë, reduktimin e financimit të qeverisë ose ndërprerjen e takimeve të nivelit të lartë. “Ne nuk duam të dëmtojmë popullin e thjeshtë, nuk duam t’u shkaktojmë më shumë dhimbje” , tha Borrell, duke shtuar se të hënën nuk pritej një vendim zyrtar lidhur me masat ndaj Gjeorgjisë. Ndërsa ministri i Jashtëm estonez shkoi më tej duke thënë se do të ketë gjithashtu diskutime për ndalimin e vizave Shengen për zyrtarët e lartë gjeorgjianë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




