OKB: Do vriten civilë të shumtë nëse Izraeli vijon me planin e operacionit në Rafah

Botë | 3 vite më parë

Drejtuesit e Kombeve të Bashkuara për ndihma dhe të drejtat e njeriut, Martin Griffiths dhe Volker Turk, i kanë bërë thirrje Izraelit të anulojë inkursionin në qytetin kufitar të Rafahut.

Ata paralajmëruan se një operacion i tillë ka të ngjarë të rezultojë në shumë viktima civile. Turk, i cili është Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tha se një ofensivë rrezikon kryerjen e “krimeve mizore”.

“Një inkursion i mundshëm ushtarak i plotë në Rafah – ku rreth 1.5 milionë palestinezë gjenden në kufirin egjiptian, kjo është e tmerrshme, duke pasur parasysh perspektivën se një numër jashtëzakonisht i lartë i civilëve, përsëri kryesisht fëmijë dhe gra, ka të ngjarë të vritet dhe të plagoset”, tha Turk.

Termi “krime mizore” i referohet krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës siç përcaktohen nga traktatet ndërkombëtare, sipas OKB-së.

Griffiths, i cili është nënsekretar i OKB-së për çështjet humanitare, përsëriti se palestinezët e përqendruar në Rafah kanë “duruar vuajtje të paimagjinueshme” pasi ishin “në lëvizje për muaj të tërë, duke duruar bombat, sëmundjet dhe urinë”.

“Ku duhet të shkojnë? Si duhet të qëndrojnë të sigurt? Nuk ka ku të shkojë në Gaza. Civilët duhet të mbrohen dhe nevojat e tyre thelbësore, duke përfshirë strehimin, ushqimin dhe shëndetin, duhet të plotësohen”, theksoi Griffiths.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme