Trump mbërrin në gjykatën federale në Florida për çështjen e dokumenteve të klasifikuara

Ish- presidenti, Donald Trump mbërriti të hënën në një gjykatë federale në Florida për një seancë të mbyllur në çështjen e tij penale, sipas të cilës ai akuzohet për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara.
Seanca dëgjimore ishte planifikuar për të diskutuar procedurat për trajtimin e provave të klasifikuara në këtë çështje, e cila aktualisht është caktuar për gjykim më 20 maj.
Trump përballet me dhjetëra akuza për krime që e akuzojnë atë për grumbullimin e të dhënave shumë të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe duke penguar përpjekjet e FBI-së për t’i rikthyer ato.
Gjyqtarja e qarkut e SHBA, Aileen Cannon pret të dëgjojë argumentet nga avokatët mbrojtës dhe pasdite nga prokurorët, secili veç e veç.
“Avokatët mbrojtës duhet të jenë të përgatitur për të diskutuar në detaje teoritë e tyre të mbrojtjes të çështjes dhe se si çdo informacion i klasifikuar mund të jetë i rëndësishëm ose i dobishëm për mbrojtjen,” shkroi Cannon në caktimin e seancës.
Autokolona e Trump mbërriti në gjykatën në Fort Pierce pak pas orës 9 të mëngjesit
Seanca dëgjimore është një nga disa paraqitjet vullnetare në gjykatë që Trump ka bërë javët e fundit – ai ishte i pranishëm, për shembull, në argumentet e gjykatës së apelit muajin e kaluar në Uashington – teksa kërkon t’u tregojë mbështetësve se ai synon të luftojë katër ndjekjet penale që ai përballet duke kërkuar gjithashtu të rimarrë Shtëpinë e Bardhë këtë nëntor.

Brenda pak ditëve vendoset për të ardhmen e pasurive të paluajtshme të ish-Presidentit, Trump
Brenda pak ditësh, një gjykatës në Nju Jork pritet të vendosë mbi të ardhmen e perandorisë së pasurive të paluajtshme të ish-Presidentit Donald Trump, në një çështje civile ku ai akuzohet se mashtroi huadhënësit dhe kompanitë e sigurimeve, duke fryrë vlerën e pasurive të tij në pasqyrat financiare.
Nëse shpallet fajtor, dënimi mund të përfshijë gjoba miliona dollarëshe dhe ndalimin e të bërit biznes në shtetin ku ai ka lindur. Së shpejti, ditët e Donald Trumpit si manjat i pasurive të paluajtshme në Nju Jork mund të marrin fund.
Një gjykatës po shqyrton mundësinë e shqiptimit të dënimeve të reja për ish-presidentin, mbi akuzat se ai mashtroi huadhënësit, kompanitë e sigurimeve dhe të tjerët, duke fryrë vlerën e pasurisë së tij në pasqyrat financiare.
Dënimi i mundshëm i Trump në këtë padi civile, një proces që ka zgjatur prej muajsh, mund të përfshijë gjoba miliona dollarëshe dhe ndalimin për të bërë biznes në shtetin ku ai ka lindur.
Një dënim i tillë i shtohet, një vendimi të mëparshëm që kërcënon të ardhmen e prerandorisë së tij të pasurive të paluajshtme.
Në shtator të vitit 2023, gjykatësi Arthur Engoron vlerësoi se Trump kishte mashtruar. Ndër të tjera, gjyqtari Engoron zbuloi se pasqyrat financiare të Trump pretendonin se apartamenti i tij në Kullën Trump ishte gati trefish më i madh sesa madhësia reale e tij.
Gjyqtari gjeti po ashtu se Trump mbivlerësoi pronën e tij në “Mar-a-Lago” në Palm Beach të Floridas, bazuar në idenë se aty mund të ndërtoheshin objekte të tjera banimi, megjithëse Trump kishte hequr dorë nga e drejta për të ndërtuar në këtë pronë.
Në një paraqitje me video në prill të vitit 2023, Trump mbrojti pasqyrat financiare që janë në qendër t çështjes kundër tij.
Tani, gjykatësi Engoron duhet të vendosë për çështje të tjera në këtë rast, duke përfshirë ato nëse zoti Trump ishte i përfshirë në një komplot për të ekzagjeruar pasurinë e tij dhe nëse ai, ose të pandehur të tjerë, mashtruan kompanitë e sigurimeve.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James kërkon një dënim prej 370 milionë dollarësh dhe vendosjen e kufizimeve të rrepta ndaj tij për të bërë biznes në Nju Jork.
Gjykatësi ka ngritur mundësinë e likuidimit të bizneseve dhe pronave të Trump. Ish-presidenti mohon të ketë shkelur ligjin. Për shkak se kjo është një çështje civile dhe jo një çështje penale, zoti Trump nuk rrezikon të dënohet me burgim. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




