Opinioni i ekspertëve amerikanë nëse Trump duhet të përjashtohet apo jo nga gara presidenciale

Botë | 3 vite më parë

Studiues të ndryshëm, zyrtarë zgjedhjesh, ligjvënës dhe figura të tjera politike kanë dorëzuar opinione në gjykatë, duke ndarë pikëpamjet e tyre në favor ose kundër zotit Trump.

Njëri prej tyre është Mark Graber, profesor i së drejtës në Universitetin e Merilendit dhe një nga ekspertët kryesorë për të drejtën kushtetuese lidhur me kryengritjet dhe Amendamentin e 14-të.

Në përmbledhjen e tij ai argumenton se vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados është në përputhje me mënyrën se si komuniteti ligjor e interpretoi kryengritjen në kohën kur u hartua pika 3 dhe se ai me të drejtë arriti në përfundimin se kishte ndodhur një kryengritje.

“Donald Trump nxiti kryengritjen”, i tha prof. Graber Zërit të Amerikës.

“Atij iu tha se postimet e tij në Twitter po nxisnin dhunë kundër zyrtarëve të zgjedhjeve. Ai reagoi duke i shtuar postimet e tij në Twitter. Atij iu tha se kishte persona të armatosur në turmë që synonin të merrnin nën kontroll Kongresin. Ai u përgjigj duke thënë: ‘Kur ka manipulime (zgjedhjesh), nuk përdoren mjetet e zakonshme, por duhet të luftosh, të luftosh me të gjitha forcat’”, shpjegon prof. Graber.

“Një person me logjikë duke e parë sjelljen e Trump-it, mund të mendojë se ai kishte qëllim të frymëzonte një kryengritje.”

Në përgjigje të një pyetjeje tjetër qendrore në këtë çështje – nëse Amendamenti i 14-të vlen për presidentin – prof. Graber thotë se përgjigja është “e qartë”.

“Çdo anëtar i Kongresit që përdori shprehjen ‘zyrtar i Shteteve të Bashkuara’ në Kongresin e 39-të tha se presidenti konsiderohej ‘zyrtar’ ”, nënvizon ai.

Të tjerë argumentojnë se i takon Kongresit të përcaktojë se në cilat raste mund të përdoret Amendamentit të 14-të. Një prej tyre është Prokurori e Përgjithshëm të Indianës, Todd Rokita, i cili paraqiti një opinion së bashku me 26 prokurorë të tjerë të përgjithshëm republikanë.

“Pika 3 nuk hyn në fuqi automatikisht,” tha ai gjatë një aktiviteti të mërkurën të organizuar nga Fondacioni Heritage, një institut konservator.

Ai argumentoi se sipas pikës 5 që parashikon se, “Kongresi do të ketë kompetencën për të vënë në zbatim, me legjislacion përkatës, dispozitat e këtij neni”, janë ligjvënësit që duhet të përcaktojnë se si do të zbatohet Amendamenti i 14-të.

Alan Dershowitz, profesor i së drejtës në Fakultetin Juridik të Harvardit, i cili ishte avokat i zotit Trump gjatë procesit për shkarkim ndaj tij në Senat, e mbështet këtë argument.

“Në mungesë të aktivizimit të Kongresit, nuk besoj se Amendamenti i 14-të hyn në fuqi automatikisht,” i tha ai Zërit të Amerikës.

“Përndryshe, pse do duhej neni 5 i Amendamentit të 14-të që i jep shprehimisht Kongresit fuqinë për të marrë këto vendime?”

Një grup prej 25 historianësh me peshë, përfshirë Allan J. Lichtman, profesor historie në Universitetin Amerikan, argumentuan në përmbledhjen e tyre se pika 3 vlen për zotin Trump dhe nuk “ka nevojë për një veprim tjetër të Kongresit, ose një dënim” për kryengritje.

Prof. Lichtman i tha Zërit të Amerikës se është e qartë se pika 3 është hartuar jo vetëm për të parandaluar “ish-konfederalistët, por edhe ata që kryejnë kryengritje në të ardhmen”.

“Hartuesit synonin të kishin një amendament të qëndrueshëm dhe që të mos mund të cenohej nga kongreset e ardhshme, duke qenë se është pjesë e Kushtetutës,” thotë Prof. Lichtman.

Por zoti Rokita, thotë se i takon popullit amerikan që të zgjedhë presidentin e tij, jo gjyqtarëve.

“Votuesit do të humbasin besimin nëse gjyqtarët vendosin se votuesit nuk mund të përcaktojnë një nga dy kandidatët kryesorë presidencialë të vendit tonë,” paralajmëroi ai.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme