Senati miraton ndihmën prej 95 mld dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, por Kongresi ka fjalën e fundit

Botë | 3 vite më parë

Senati ka çuar përpara një paketë ndihme për Ukrainën dhe Izraelin, një ditë pasi republikanët bllokuan një projekt- ligj të madh dypartiak për sigurinë kufitare dhe ndihmën e huaj.

Ligjvënësit votuan 67-32 për të shqyrtuar një paketë ndihme prej 95 miliardë dollarësh. Megjithëse demokratët janë në favor të kalimit të ndihmës, republikanët mbeten të ndarë rreth masës.

Projektligji i ri heq disa masa kufitare të SHBA-së nga një paketë dypartiake prej 118 miliardë dollarësh që bëri të mërkurën që republikanët në Senat të votonin kundër.

Fati i projektligjit mbetet i paqartë. Edhe nëse Senati vazhdon që ta miratojë ndihmën, ajo më pas duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve – një dhomë me një shumicë republikane që nuk ka qenë e etur për të miratuar një financim të tillë.

Kjo mund të jetë mundësia e fundit e Kongresit për të kaluar ndihmën për Ukrainën, e cila ka paralajmëruar se mund të mos jetë në gjendje të mbrohet me sukses kundër Rusisë pa fondet e SHBA-së.

SHBA, e cila është ofruesi më i madh i ndihmës për Ukrainën, nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndihmë të mëtejshme që nga dhjetori për shkak të bllokimit politik në Kongres.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer – i cili hartoi masën – e quajti votimin një “hap të parë të mirë” dhe u zotua “të vazhdojë të punojë për këtë projektligj – derisa puna të përfundojë”.

Projektligji përfshin 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 14.1 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Izraelin, si dhe 9.15 miliardë dollarë fonde humanitare për të dy vendet.

Pas refuzimit të projektligjit fillestar, republikanët në Senat tani kanë rënë dakord të marrin në konsideratë këtë version të ndihmës së huaj- i cili përfshin gjithashtu fonde për rajonin Indo- Paqësor. Megjithatë, ata e kanë mbajtur të hapur mundësinë e shtimit të ndryshimeve të mëtejshme.

Është e mundur që republikanët të mund të shtojnë disa nga masat kufitare që janë hequr nga projektligji origjinal, ose të heqin disa elementë të financimit ushtarak.

Shtëpia e Bardhë i kishte kërkuar Kongresit të miratonte një projektligj që përfshinte ndihmën e huaj, e cila pasqyron atë që po shqyrtohet tani, muaj më parë.

Duke përmendur një krizë në kufirin jugor, ligjvënësit republikanë kishin kërkuar që çdo projektligj të lidhej me masa të rrepta të sigurisë kufitare. Negociatat mbi këto dispozita ngadalësuan procesin dhe rrjedhën e ndihmës.

Por pasi ish-presidenti Donald Trump sulmoi një marrëveshje të arritur nga një grup ligjvënësish dypartiakë, disa republikanë kundërshtuan projektligjin e ri. Gjashtë demokratë votuan gjithashtu kundër legjislacionit, kryesisht në kundërshtim me reformat e tij kufitare.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme