Forcat e Armatosura irakiane: Misioni amerikan, faktor për destabilitet. Të largohet

Forcat e Armatosura të Irakut kanë deklaruar se janë të detyruara “më shumë se kurrë” t’i japin fund misionit të Shteteve të Bashkuara në Irak, duke përmendur sulmin me dron gjatë natës në një automjet në Bagdad, që vrau një prej komandantëve të lartë të milicisë pro-Iraniane Kataib Hezbollah.
“Kjo trajektore e detyron qeverinë irakiane më shumë se kurrë të përfundojë misionin e këtij koalicioni, i cili është kthyer në një faktor për destabilitet dhe kërcënon të ngatërrojë Irakun në ciklin e konfliktit dhe forcat tona të armatosura nuk mund të neglizhojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre kushtetuese”. thuhet në deklaratë.
Forcat e Armatosur të Irakut theksojnë më tej në deklaratën e tyre se “forcat amerikane “kryen një atentat përmes një sulmi ajror në zemër të një lagjeje të banuar në kryeqytetin irakian duke mos treguar asnjë respekt për jetën e civilëve apo ligjet ndërkombëtare”.
“Me këtë akt, forcat amerikane rrezikojnë paqen, shkelin sovranitetin e Irakut dhe shpërfillin sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Akoma më shqetësuese është se koalicioni devijon vazhdimisht nga arsyet dhe objektivat e pranisë së tij në territorin tonë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-ve, sulmi ushtarak amerikan në Bagdad vrau një komandant të Kataib Hezbollah, i cili ishte përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane në rajon.
Sulmi erdhi pasi SHBA-ja po planifikonte sulme hakmarrëse kundër militantëve të mbështetur nga Irani, të cilët nisën një sulm me dron në një postë të SHBA-së në Jordani muajin e kaluar që vrau tre ushtarë amerikanë.
Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar për atë sulm grupin ombrellë të milicive të mbështetur nga Irani të quajtur “Rezistenca Islamike” në Irak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




