Blinken: Arabia Saudite kërkon normalizim të raporteve me Izraelin, por me krijimin e shtetit palestinez

Botë | 3 vite më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se Arabia Saudite vijon të jetë e interesuar në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Nga ana tjetër, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman e bëri të qartë se lufta në Gaza duhet të përfundojë dhe duhet të ketë “një kohë të qartë, të besueshme dhe një rrugë e lidhur drejt krijimit të një shteti palestinez”.

Blinken u takua me bin Salmanin për më shumë se dy orë të hënën në Riad. Ai është planifikuar të takohet me zyrtarë të lartë izraelitë në Tel Aviv të mërkurën.

Si në këtë udhëtim ashtu edhe në turneun e tij të fundit në rajon, Blinken ka theksuar se qeveria izraelite duhet të marrë vendime “të vështira” dhe të shkojë drejt një zgjidhjeje me dy shtete nëse dëshiron të arrijë normalizimin me Arabinë Saudite dhe nëse dëshiron mbështetjen e saj.

Por, kryeministri Benjamin Netanjahu e ka kundërshtuar vazhdimisht idenë e një shteti palestinez. Ai ka thënë gjithashtu se lufta në Gaza do të vazhdojë me muaj të tërë.

Sipas Blinkenit, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë përgjigjen e Hamasit.

 “Do ta diskutoj me qeverinë e Izraelit nesër”, tha Blinken.

Diplomati i lartë amerikan përsëriti se propozimi që iu paraqit Hamasit ishte një propozim “serioz” “që synonte jo thjesht të përsëriste marrëveshjen e mëparshme, por ta zgjeronte atë”.

“Ka ende shumë punë për të bërë, por ne vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje është e mundur. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa pushim për ta arritur atë”, tha ai në një konferencë për shtyp në Doha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme