Vrasja e 3 ushtarëve amerikanë në Jordani, Biden: Grupet militante që mbështet Irani do përgjigjen deri më një

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden u zotua se ata që janë përgjegjës për vdekjen e tre anëtarëve të shërbimit amerikan në një sulm me dron gjatë natës në një postë të vogël amerikane në Jordani do të mbajnë përgjegjësi.
Ai ka bërë përgjegjës për këtë sulm grupet militante të mbështetura nga Irani.
“Sot, zemra e Amerikës po rënkon”, tha Biden në një deklaratë ditën e sotme.
“Natën e kaluar, tre anëtarë të shërbimit amerikan u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror me dron ndaj forcave tona të vendosura në Jordaninë verilindore pranë kufirit me Sirinë. Ndërsa ne jemi ende duke mbledhur faktet e këtij sulmi, ne e dimë se ai është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak,” u shpreh Biden.
Ai u zotua se SHBA “do t’i kërkojë llogari të gjithë atyre që janë përgjegjës”
Ai i quajti tre ushtarët e rënë në krye të detyrës si patriotë duke lavdëruar trimërinë e tyre dhe e quajti ngjarjen si një “sulm të neveritshëm dhe krejtësisht të padrejtë”.
“Së bashku, ne do të mbajmë detyrimin e shenjtë që kemi ndaj familjeve të tyre. Ne do të përpiqemi të jemi të denjë për nderin dhe trimërinë e tyre. Ne do të vazhdojmë angazhimin e tyre për të luftuar terrorizmin”, tha presidenti.
Biden u informua për sulmin të dielën në mëngjes në Karolinën e Jugut, ku ai po bën fushatë për t’u rizgjedhur si presidenti i SHBA-ve në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




