Urdhëroi ndalimin e akteve të gjenocidit në Gaza, Izraeli kundër vendimit të Hagës: Nuk e ndalim luftën

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi të premten Izraelin të ndalë veprimet ushtarake, të cilat mund të shkojnë në kufijtë e gjenocidit në Gazë, por jo të luftën.
Pak orë pas vendimit nga GJND-ja, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli kundër këtij urdhëri.
“Si çdo shtet tjetër, Izraeli ka një të drejtën e natyrshme për ta mbrojtur veten. Përpjekje e turpshme për t’ia mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore është një diskriminimin flagrant kundër shtetit hebre, dhe ne sapo e refuzuam”, tha Netanjahu.
Trupi gjykues i institucionit të Kombeve të Bashkuara rrëzoi kërkesën e Tel Avivit për të arkivuar çështjen e ngritur në mbrojtje të civilëve Palestinezë. Sipas vendimit, disa akte në luftën në Gaza mund të konsiderohen gjenocid.
“Izraeli duhet, që në përputhje me detyrimet e dala nga Konventa e Gjenocidit, lidhur me palestinezët në Gaza, të marrë të gjitha masat e nevojshme brenda fuqisë së tij, për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocid – si vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore apo mendore, krijimi i kushteve për të shkaktuar shkatërrimin e një grupi dhe parandalimi i lindjeve”, tha Joan Donoghue, gjyqtare në Hagë.
Gjithashtu i kërkohet Izraelit që të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në këtë çështje gjenocidi. Qeverisë së Benjamin Netanjahut i bëhet thirrje që të marrë masa për të siguruar akses humanitar në Gaza. Por ky i fundit reagoi duke refuzuar vendimin e Hagës.
Afrika e Jugut festoi vendimin e “Gjykatës së Botës” duke e theksuar se ai nënkupton një armëpushim thelbësor në Gaza.
Haga urdhëroi Izraelin që të paraqesë një raport brenda një muaji nga vendimi për kërkesat e shtruara.
Ky vendim nuk është ligjërisht i detyrueshëm, por ka një rëndësi të madhe politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




