Lufta kundër Hamasit në Gaza, shfaqen përçarje midis zyrtarëve të lartë izraelitë

Botë | 3 vite më parë

Mes zyrtarëve të lartë izraelitë po shfaqen përçarje, lidhur me trajtimin e luftës kundër Hamasit në Gaza. Një anëtar i kabinetit të luftës hodhi dyshime mbi strategjinë për lirimin e pengjeve, ndërsa kryeministri hodhi poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar ofensivën e saj.

Vetëm një marrëveshje armëpushimi mund të çojë në lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen ende nga militantët islamikë në Gaza.

“Pretendimet se ata mund të liroheshin me mjete të tjera po shkaktojnë më shumë vetëm iluzione”, tha ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, një nga pesë anëtarët e Kabineti i Luftës, në deklaratat e tij të para publike për rrjedhën e luftës.

Komentet e Eisenkot të enjten vonë ishin shenja e fundit e mosmarrëveshjes midis liderëve politikë dhe ushtarakë mbi drejtimin e ofensivës së Izraelit ndaj Hamasit, që ka hyrë tashmë në muajin e katërt.

Izraeli goditi Gazën nxitur nga sulmi i pashembull terrorist i Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë si dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Kundërpërgjigja izraelite në rajonin me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës. Autoritetet izraelite thotë se në Gazë mbahen ende më shumë se 130 pengje dhe se jo të gjithë besohet se janë gjallë.

Gjatë ofensivës izraelite, një nga fushatat ushtarake më të përgjakshme dhe më shkatërruese të dekadave të fundit, janë vrarë rreth 25 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës ndërsa është shpërngulur më shumë se 80 për qind e popullsisë së territorit.

Izraeli ka ndërprerë pothuajse të gjitha furnizimet për Rripin e Gazës përfshirë ato në ushqime, ujë dhe karburant. Çdo ditë në territor hyn vetëm një pjesë e vogël, krahasuar me vëllimin e paraluftës prej rreth 500 kamionësh. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë për rajonin.

Komunikimi në rajon është ndërprerë duke hyrë të premten në ditën e shtatë të tij, ndërprerja më e gjatë që nga fillimi i luftës. Mungesa e komunikimit pengon koordinimin për shpërndarjen e ndihmës si dhe përpjekjet për shpëtim të të plagosurve.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, kanë ofruar mbështetje të fortë ushtarake dhe politike për ofensivën, por gjithnjë e më shumë po i bëjnë thirrje Izraelit të ulë intensitetin dhe të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pas luftës – sugjerim që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar rreptësisht.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Autoriteti Palestinez i njohur ndërkombëtarisht, i cili qeveris zonat gjysmë autonome në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duhet të “rigjallërohet” dhe të kthehet në Gaza. Hamasi e largoi autoritetin nga Gaza në vitin 2007. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme