Vrasja e kryemafiozit grek Vangelis Zambounis, dy pistat e hetimit

Një vrasje e stilit mafioz në një pikë karburanti në jug të Athinës ka hedhur dritë mbi brutalitetin e mafies greke. Një kërkim masiv është duke u zhvilluar nga policia për të kapur vrasësit e bosit të krimit, Vangelis Zambounis, i cili u qëllua për vdekje në fillim të kësaj jave.
Më shumë se 90 fishekë u qëlluan nga një kallashnikov në drejtim të Zambounis, i konsideruar si një figurë e fuqishme në botën kriminale greke. Ai dyshohet se ka drejtuar një rrjet zhvatjesh dhe se ka qenë i përfshirë në kontrabandën e cigareve dhe karburanteve.
Në videon CCTV që qarkulloi disa orë pas vrasjes në orët e hershme të së dielës, shihet një burrë që supozohet të jetë Zambounis duke u futur në një BMW të blinduar të parkuar jashtë një pike karburanti që ai zotëronte në zonën Neos Kosmos të Athinës.
Një automjet tjetër ngjitet pas BMW-së. Policia më konstatoi se bëhej fjalë për një Lexus me targa false të vjedhur në Itali muaj më parë.
Dy burra kërcejnë jashtë makinës. Njëri, i veshur me të zeza dhe me një kapuç sportiv, i afrohet BMW-së dhe qëllon me një pushkë sulmi AK-47 në dritaren e shoferit nga një distancë e afërt, duke ndaluar vetëm për të rimbushur armën.
Më pas, personi i armatosur nxjerr një pistoletë nga xhaketa e tij, hap derën e makinës dhe qëllon edhe një herë pasagjerin, ndërsa një person i dytë qëllon gjithashtu disa fishekë kallashnikovi në automjet nga ana tjetër. Të dy më pas largohen me Lexus.
Makina e djegur u gjet më vonë nga policia në periferi të Athinës. Egërsia e vrasjes ka krijuar vëmendje të konsiderueshme në Greqi, pasi ajo që u kap në CCTV, u shfaq në TV greke menjëherë pas krimit.
Dy oficerë policie u arrestuan të nesërmen për shkelje të konfidencialitetit zyrtar dhe dhënien e pamjeve në media. Raportet greke janë të mbushura me spekulime mbi motivet e vrasjes së Zambounis. Një teori është se ajo u urdhërua si hakmarrje për vrasjen në qershor të 2023-it, të rivalit mafioz, Vassilis Roubetis.
Një tjetër teori mbështet vrasjen lidhur me tensionet e vazhdueshme midis kontrabandistëve vendas të produkteve të duhanit dhe mafiozëve të huaj që importojnë cigare të lira nga Ukraina.
Mediat lokale raportuan gjithashtu se një pushkë kallashnikov u gjet në bagazhin e makinës së Zambounis dhe se ai kishte një pistoletë në këllëfin e rripit.
Ai i ka mbijetuar një tentative vrasjeje të vitit 2018, kur vrasësi i tij tentoi të qëllonte në makinën e Zambounis, por arma nuk i funksionoi.
Sipas të përditshmes greke Kathimerini, më shumë se 20 vrasje me porosi janë kryer që nga viti 2017 në Greqi midis bandave të përfshira në zhvatje dhe aktivitete të tjera kriminale. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




