Kim: Koreja e Jugut të klasifikohet si armiku numër një kushtetues

Botë | 3 vite më parë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të klasifikojë Korenë e Jugut si shtetin armik numër një në kushtetutën e vendit të tij.

Në një fjalim në parlament në Phenian, Kim theksoi se ribashkimi me fqinjin e tyre jugor nuk është më i mundur.

“Shprehjet si, pavarësia, ribashkimi paqësor dhe bashkimi i madh kombëtar duhet të fshihen nga kushtetuta”, tha Kim.

Situata në gadishullin Korean është më e tensionuar se sa ka qenë për vite me radhë në sfondin e konfliktit për programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Vendi i Kim është subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.

Kohët e fundit, Kim e etiketoi Korenë e Jugut si armikun kryesor gjatë vizitave në fabrikat e municioneve dhe njoftoi një riorientim të politikës së mëparshme të bashkimit.

Në seancën parlamentare, Kim akuzoi edhe një herë Korenë e Jugut se po kërkon të sjellë fundin e qeverisë së tij.

“Ne nuk duam luftë, por gjithashtu nuk kemi ndërmend ta shmangim atë”, citohet të ketë thënë ai nga KCNA Watch, një organizatë që monitoron mediat koreano-veriore.

Kim deklaroi se një amendament kushtetues duhet ta bëjë të qartë se të gjithë koreano-veriorët duhet të kenë të qartë idenë e fortë se, ROK (Republika eoresë se Jugut) është armiku i tyre kryesor dhe armiku kryesor i pandryshueshëm.

Asambleja e Lartë Popullore e Koresë së Veriut konsiderohet një parlament i rremë jashtë vendit.

Zakonisht, ajo mblidhet vetëm disa herë në vit për të miratuar vendimet e marra nga udhëheqja e shtetit dhe Partia e Punëtorëve. 

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme