Ukrainë, Kuleba: Kam dashur disa herë të godas me grusht homologun rus Lavrov

Botë | 3 vite më parë

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka deklaruar se ka pasur dy apo tre raste kur “ndjeu dëshirën për të goditur me grusht në fytyrë homologun e tij rus Sergei Lavrov” gjatë takimeve që kanë pasur për armëpushim për luftën në Ukrainë.

Gjatë një interviste për një bloger ukrainas, Kuleba tha se bisedimet kanë qenë të vështira me kundërshtarin.

“Bisedimet më të vështira janë ato në të cilat ndjen thjesht se dëshiron të shkosh dhe të godasësh në fytyrë homologun tënd kundërshtar, por që nuk mund ta bësh këtë. Mund të them se kjo ka ndodhur dy ose tre herë. Një rast ishte me Lavrov në resortin turk në Antalia në pranverën e vitit 2022”, tha Kuleba.

Delegacionet e ministrave ukrainas dhe rusë mbajtën disa raunde bisedimesh pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2002.

Grupi i parë i bisedimeve u mbajt pranë kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë dhe një raund tjetër negociatash u mbajt më vonë në Turqi.

Për deklaratat e Kulebës ka reaguar edhe Rusia, duke i cilësuar si “mundësi potenciale propagande”.

Maria Zakharova, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, tha se ata treguan se Ukraina po udhëhiqej nga “njerëz të paarsimuar dhe agresivë”.

Prej gati dy vitesh luftë, Rusia dhe Ukraina ende nuk kanë mundur të negociojnë për një marrëveshje paqeje mes tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme