Arratisja e tij shkaktoi “luftë civile” në Ekuador/ Kush është bosi i drogës “Fito” dhe si e drejtonte kartelin nga “bunkeri privat

Botë | 3 vite më parë

José Adolfo Macías, i njohur gjerësisht si ‘Fito’ është personi që e zhyti Ekuadorin në një krizë kombëtare duke u arratisur të dielën nga burgu. Sipas mediave britanike ai është kreu i një prej grupeve të drogës më famëkeq në Amerikën Latine, të cilin e ka drejtuar nga pas hekurave.

Sipas BBC, 44-vjeçari është lideri i kartelit Los Choneros i cili deri në vitet e fundit ishte pa dyshim banda më e madhe dhe më e frikshme e Ekuadorit, e akuzuar për vrasje dhe trafik droge.

Pavarësisht se ishte në burg që nga viti 2011, 44-vjeçari mori drejtimin e kartelit në vitin 2020 dhe që atëherë ka koordinuar aktivitetet e tij nga brenda “bunkerit të tij privat”.

Kjo ndodhi deri të dielën kur u zbulua se ishte arratisur. Zhdukja e tij bëri që presidenti ekuadorian Daniel Noboa të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimin, ndërsa autoritetet nisën gjuetinë për kriminelin.

Sakaq, kriminelë të shumtë ekuadorianë lëshuan një valë dhune hakmarrëse në të gjithë vendin duke sulmuar një stacion televiziv, ekzekutuar policie dhe roje burgu dhe kërcënuan se do të ekzekutonin civilët në vend nëse i shihnin në rrugë gjatë natës.

Në një përshkallëzim të mëtejshëm, Noboa urdhëroi operacione ushtarake për të ‘neutralizuar’ bandat kriminale, pasi vendi shpërtheu në atë që ai e quajti një ‘konflikt të armatosur të brendshëm’.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme