Tensione mes Koreve – Pheniani gjuan 200 predha artilerie, Seuli nis stërvitjet ushtarake

Botë | 3 vite më parë

Banorët në dy ishuj në Koresë së Jugut u urdhëruan këtë të premte të kërkonin strehim, pasi Koreja e Veriut gjuajti më shumë se 200 predha artilerie.

Zjarri i artilerisë koreanoveriore raportohet se  nuk ka shkaktuar dëme në civilë apo ushtarakë. Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Koresë sëJugut njoftoi se si kundërpërgjigjje kishte kryer një stërvitje pranë kufirit detar me veriun.

“Ky është një akt provokimi që përshkallëzon tensionet dhe kërcënon paqen në Gadishullin Korean”, tha zëdhënësi i Shtabit të përgjithshëm i Koresë së Jugut, Lee Sung-jun pas zjarrit.

Të gjitha predhat e artilerisë së Koresë së Veriut ranë në anën veriore të kufirit detar, tha Lee, duke shtuar se ushtria e Koresë së Jugut, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane, po monitoron lëvizjet e Phenianit përgjatë bregdetit të saj.

Pas të shtënave nga dyanët e kufirit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, bëri thirrje për përmbajtje nga ndërmarrja e veprimeve që përshkallëzojnë tensioned.

Stërvitja detare e Koresë së Veriut pranë kufirit shkel marrëveshjen e vitit 2018, dhe ekspertët thonë se Pheniani mund të intensifikojë testet e saj të armëve në muajt e ardhshëm, duke përshkallëzuar tensionet në gadishullin korean para zgjedhjeve parlamentare të Koresë së Jugut në prill dhe zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara në nëntor.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme