OBSH: Gazës po i mbaron uji, do përballet me krizë të shëndetit publik

Botë | 3 vite më parë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se Gaza po përballet me një krizë të afërt të shëndetit publik pasi po mbaron furnizimi me ujë.

Agjencia e OKB-së tha se jetët e më shumë se 3,500 pacientëve në 35 spitale në Gaza janë në rrezik të menjëhershëm dhe bëri thirrje për akses të papenguar për ndihmën humanitare në enklavë.

Të dielën, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se zyrtarët izraelitë i kishin thënë atij se kishin hapur tubin e ujit në Gazën jugore. Një zëdhënës i Hamasit mohoi pretendimet e Izraelit, duke thënë se njerëzit në Gaza “pinë ujë të ndotur, duke paraqitur një krizë serioze shëndetësore që kërcënon jetën e qytetarëve”.

Kreu i agjencisë së OKB-së për mbështetjen e refugjatëve palestinezë paralajmëroi se Gaza “po mbytet “, duke shtuar se “asnjë pikë ujë” nuk është lejuar në Rripin e Gazës për më shumë se një javë.

“Gaza po mbytet dhe duket se bota tani e ka humbur humanitetin e saj. Nëse shikojmë çështjen e ujit, të gjithë e dimë se uji është jetë, Gazës po i mbaron uji dhe Gazës po i mbaron jeta”, u shpreh ai./ The Guardian

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme