Izraeli: Qytetarët në veri të largohen drejt jugut të Gazës. OKB: Të anulohet urdhri

Urdhrit të Izraelit që 1.1 milionë njerëz në veri të Gazës të largohen në 24 orët e ardhshme, OKB ju përgjigj me një kërkesë për anulimin e urdhrit të evakuimit.
Por kërkesën e OKB-së, Izraeli e ka konsideruar të “turpshme”.
Gjatë orëve të vona të natës, ushtria izraelite i ka thënë OKB-së se të gjithë që jetojnë në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendosen në jug të Gazës në 24 orët e ardhshme.
Urdhri përfshin gjithashtu të gjithë stafin e OKB-së dhe ata të strehuar në objektet e OKB-së që përfshijnë shkolla, qendra shëndetësore dhe klinika.
Kombet e Bashkuara e konsideruan të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare.
Gilad Erdan, ambasadori i vendit në OKB, tha se Izraeli po jepte një paralajmërim të hershëm për banorët e Gazës dhe po përpiqej të “minimizonte dëmin ndaj atyre që nuk përfshiheshin” në operacionin e tij ushtarak kundër Hamasit.
“Për shumë vite, OKB-ja ka mbyllur një sy ndaj armatimit të Hamasit dhe përdorimit të popullsisë civile dhe infrastrukturës civile në Rripin e Gazës si një vend ku fshihen armët dhe vrasjet e tij. Tani, në vend që të qëndrojë pranë Izraelit, qytetarët e të cilit u masakruan nga terroristët e Hamasit… ai i predikon Izraelit. Është më mirë që OKB-ja të fokusohet tani në kthimin e pengjeve, dënimin e Hamasit dhe mbështetjen e të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur“, tha Erdan.
Izraeli është duke u përgatitur për një ofensivë tokësore, duke mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin e Gazës. Ajo ka nisur sulmet ajrore në Gaza që nga e shtuna pas sulmit të befasishëm të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit.
Sakaq, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent këtë të premte (13 tetor) në një format konsultimi të mbyllur. SHBA, Britania e Madhe, Kina, Rusia dhe Franca janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




