Në betejë me Hamasin, Izraeli formon “kabinet lufte” bashkë me opozitën

Opozita izraelite i është përgjigjur thirrjes së kryeministrit Benjamin Netanjahu (o. Netanyahu) për të vazhduar së bashku qeverisjen e vendit që tani përballet në betejë me Hamasin.
Partia e Unitetit me Beni Ganxin në krye (o. Benny Gantz) vendosi të martën krijimin e një kabineti urgjence pas disa ditëve negociatave nisur nga situata në Gazë.
“Kabineti i luftës” do të drejtojë luftën me Hamasin, siç ishte kërkuar nga opozitari Ganx, bashkë me kryeministrin Netanjahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Joav Galant (o. Yoav Gallant).
Në kabinet është planifikuar një vend edhe për kryetarin e opozitës Jair Lapid (o. Yair), i cili nuk ka pranuar të futet në qeveri pa u larguar nga koalicioni parti të ekstremit të djathtë.
Hamasi hedh bomba në Tel-Aviv
Nga përplasja luftarake mes Izraelit dhe grupit Hamas, bilanci i viktimave dhe të plagosurve vazhdon të përkeqësohet.
Në Izrael raportohen 1.200 të vrarë dhe mbi 3 mijë të plagosur, ndërsa në Rripin e Gazës, viktimat e kalojnë shifrën 950.
Të dyja palët iu rikthyen ditës shkëmbimeve me raketa, me Izraelin që bombardoi streha të tjera të militantëve dhe Hamasi, i cili depërtoi me raketat e veta drejt Tel-Avivit.
Sirenat ranë dy herë në zonën e kryeqytetit izraelit, por pa shkaktuar dëme në njerëz.
Në kufirin me Gazën, ndërkaq, forcat izraelite punuan për të çminuar perimetrin e kufirit dhe për të korrigjuar hendekun e krijuar nga mësymja e së shtunës (7 tetor) prej trupave të Hamasit.
“Trupat po ndihmohen me tanke dhe mjete fluturuese, duke goditur terroristët palestinezë që tentojnë t’i afrohen kufirit,” njoftoi ushtria izraelite.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




