Terrori nga Hamas, 9 amerikanë të vrarë, SHBA dërgon anije luftarake, mijëra marinsa dhe avionë pranë Izraelit

Departamenti amerikan i shtetit konfirmoi të hënën se nëntë shtetas amerikanë janë mes të vdekurve në Izrael nga sulmi terrorist i Hamasit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller tha se ka qytetarë amerikanë fati i të cilëve nuk dihet dhe se Shtetet e Bashkuara po punojnë me autoritetet në Izrael për të gjetur vendndodhjen e tyre.
“Shprehim ngushëllimet tona të thella për viktimat dhe familjet e të prekurve,” tha zoti Miller.
Ai tha se autoritetet amerikane janë në kontakt me familjet dhe po ofrojnë ndihmë konsullore për ta.
Nga ana tjetër SHBA thotë se ka lëvizur një aeroplanmbajtëse, anije dhe avionë në Mesdheun lindor dhe se do t’i japë Izraelit pajisje dhe municione shtesë.
Lëvizja ushtarake vjen pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, të cilin Presidenti Biden e quajti një “sulm të paprecedentë dhe të tmerrshëm”. Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të SHBA tha se disa qytetarë amerikanë ishin në mesin e të vdekurve.
Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 janë rrëmbyer. Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas sulmeve hakmarrëse ajrore izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se aeroplanmbajtësja USS Gerald R Ford, një kryqëzor rakete dhe katër shkatërrues raketash po shkonin në rajon. Ai tha se do të dërgohen edhe avionë luftarakë.
Ndihma e mëtejshme ushtarake për Izraelin do të dërgohet në ditët në vijim, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se SHBA po punon për të siguruar që armiqtë e Izraelit të mos përpiqen të përfitojnë nga situata.
Dislokimi i madh pasqyron shqetësimet amerikane se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit mund të tërheqë në të pjesë të tjera të rajonit. Në veçanti, Shtetet e Bashkuara janë të etur për të parandaluar lëvizjen e fuqishme Hezbollah të Libanit që t’i bashkohet konfliktit.
Ajo mbështetet nga Irani, i cili gjithashtu financon dhe armatos Hamasin. Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka shprehur mbështetjen për sulmin e Hamasit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për rrezikimin e rajonit.
Hamasi ka thënë se sponsorizimi nga Irani e ndihmoi atë të kryente sulmin e tij, i cili përfshinte raketa, drone dhe militantë në paragliderë, si dhe pa qindra luftëtarë që depërtuan nëpër fortifikimet kufitare izraelite rreth Rripit të Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA nuk kishte parë prova të përfshirjes së drejtpërdrejtë iraniane, por se Irani kishte ndihmuar grupin me bazë në Gaza për vite me rradhë.
“Hamasi nuk do të ishte Hamas pa mbështetjen që ka marrë prej shumë vitesh nga Irani. Ne nuk kemi parë ende prova të drejtpërdrejta se Irani ishte pas këtij sulmi të veçantë ose të përfshirë. Por mbështetja gjatë shumë viteve është e qartë,” tha ai.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irani mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Izraelit. Qindra persona ende raportohen të zhdukur. Midis tyre është 23-vjeçari amerikano-izraelit Hersh Golberg-Polin, i cili ishte në një festival muzikor në shkretëtirë, i cili u sulmua nga militantët.
Prindërit e tij i thanë Jerusalem Post se morën dy mesazhe nga ai ku lexonin: “Të dua” dhe “Më fal”. Kanë filluar të dalin raporte edhe për amerikanë të tjerë të zhdukur, përfshirë aktivisten e paqes Vivian Silver.
Një mik i 75-vjeçares kanadeze i tha The Canadian Jewish News se zonja Silver kishte telefonuar motrën e saj të shtunën në mëngjes për të thënë se militantët palestinezë ishin në derën e saj.
“Kishte ulërima dhe bërtitje dhe Vivian po zihej dhe më pas telefoni u shua”, tha ai.
Ambasadori i Izraelit në SHBA, Michael Herzog, i tha CBS Neës se ai e kuptonte se amerikanët ishin në mesin e ushtarëve dhe civilëve të rrëmbyer në Izraelin jugor, por nuk kishte detaje.
Netanjahu: Përgjigjja e Izraelit do të ndryshojë Lindjen e Mesme
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant urdhëroi “rrethimin e plotë” të Gazës të hënën, duke thënë se autoritetet e vendit do të ndërpresin energjinë elektrike dhe ndalojnë hyrjen e ushqimeve dhe karburanteve në Gaza. Media izraelite thotë se numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit ka arritur në 800, ndërsa goditjet kundërpërgjigjëse nga ushtria izraelite në Gaza, kanë shkaktuar vdekjen e 500 vetëve. Ndërkaq në anën veriore u panë ushtarët izraelitë dhe tanket duke u dislokuar në zonën pranë kufijve izraelitë me Libanin të hënën mes frikës se luftimet mund të përshkallëzoheshin në një konflikt më të gjerë rajonal. Kryeministri izraelit tha se përgjigja e vendit të tij ndaj sulmit të paprecedentë të Hamasit do të ndryshojë gjithë Lindjen e Mesme.
Ndërsa iu drejtohej kryebashkiakëve të qyteteve kufitare jugore të goditura nga sulmi i papritur i militantëve islamikë të Hamasit që filloi të shtunën, kryeministri izraelit tha se ajo që do të bëjë Izraeli tani do të “ndryshojë Lindjen e Mesme”.
Ndërkohë ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha se Izraeli do të vendosë rrethim të plotë ndaj Gazës, territorit që kontrollohet nga Hamasi.
“Ne po vendosim një rrethim të plotë në Gaza, nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, ujë, karburant, gjithçka do të mbyllet. Ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha ministri izraelit, Gallant.
Ushtria izraelite tha se kishte thirrur 300,000 rezervistë. Kjo dhe rrethimi I Gazas merren si shenja se Izraeli po planifikon një sulm tokësor për të mposhtur Hamasin.
Izraeli ka dërguar tanke dhe ushtarë edhe në kufi me Libanin. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ushtria e vendit e mbështetur nga helikopterët kishin vrarë një numër personash të armatosur që kishin depërtuar në Izrael nga Libani, duke rritur frikën se luftimet mund të përhapen më gjerë në rajon.
Izraeli zyrtarisht shpalli gjendjen e luftës të dielën, duke paralajmëruar luftime më të mëdha dhe një sulm të mundshëm tokësor në Gaza, një veprim që në të kaluarën ka shkaktuar shumë viktima.
Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha të hënën se palestinezët kanë të drejtën për t’u mbrojtur nga agresioni dhe pushtimi izraelit.
“Këto ngjarje dhe pasojat e tyre janë rezultat i politikës së qeverisë izraelite për shfrytëzimin e metodave më të këqija të agresionit, vrasjeve, konfiskimit të tokës, sulmeve në vendet e shenjta dhe terrorizmit. Agresioni dhe masat e sigurisë nuk mund të prodhojnë paqe për Izraelin apo qetësi për izraelitët”, thotë zoti Shtayyeh.
Hamasi vazhdoi të sulmonte Izraelin me raketa, duke ndezur sirenat e sulmeve ajrore nga Jerusalemi deri në Tel Aviv.
Izraeli reagoi duke goditur më shumë se 1000 objektiva në Gaza dhe tanket dhe dronët ruanin gardhin e dëmtuar kufitar me Gazan për të parandaluar më shumë arritje të militantëve në territorin izraelit.
Hamasi është i rrënjosur thellë në Gaza dhe ka sunduar territorin që nga dëbimi i forcave besnike ndaj Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2007. Sundimi i tij ka kaluar i pa sfiduar përmes një bllokade 16-vjeçare izraelite dhe egjiptiane dhe katër luftëra të mëparshme me Izraelin.
Pasi kaluan pengesat izraelite me mjete shpërthyese në agimin e së shtunës, persona të armatosur të Hamasit u hodhën në sulm për orë të tëra, duke vrarë civilë dhe duke rrëmbyer njerëz në qytete, përgjatë autostradave dhe në një festival muzikor të ndjekur nga mijëra në shkretëtirë. Militantët palestinezë kanë hedhur gjithashtu rreth 4,400 raketa në Izrael, sipas ushtrisë.
Ushtria izraelite vlerësoi se 1000 luftëtarë të Hamasit morën pjesë në ndërhyrjen fillestare të së shtunës. Numri i lartë vuri në dukje shtrirjen e planifikimit nga grupi militant, i cili ka thënë se e nisi sulmin në përgjigje të vuajtjeve në rritje të palestinezëve nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor, bllokadës së Gazës, politikave diskriminuese në Jerusalemin lindor të aneksuar dhe tensioneve rreth një vendi të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë në Jerusalem.
Palestinezët duan një shtet të tyrin në të tre territoret të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, por bisedimet e fundit serioze të paqes u ndërprenë më shumë se një dekadë më parë dhe qeveria e ekstremit të djathtë të Izraelit është kundër shtetësisë palestineze.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




