Luftimet Izrael-Hamas/ Çmimet e naftës shënojnë rritje të konsiderueshme

Çmimet e naftës janë rritur pasi luftimet mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas kanë rritur frikën për një konflikt me të gjerë në lindjen e mesme.
Mëngjesin e kësaj të hëne (9 shtator) nafta e papërpunuar brent në bursën e Londrës u rrit me 2.7 përqind duke shkuar në 86.86 dollarë për fuçi, ndërsa në bursën amerikane të Teksasit u shit me 85.23 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej gati 3 përqind.
Rritja e çmimeve të naftës erdhi pas trendit në ulje në javën e shkuar, ku shënuan çmimin më të ulët që nga muaji mars.
Nafta brent ra me 11 përqind ndërsa ajo amerikane me më shumë se 8 përqind në një kohë që një panoramë jo fortë e favorshme makroekonomike po intensifikonte shqetësimet për kërkesën botërore.
E ndërsa ekuilibri mes ofertës dhe kërkesës mbetet i paprekur, analistët thonë se shtimi i tensioneve në lindjen e mesme çon në rritjen e çmimeve të naftës, siç po ndodh aktualisht.
Përshkallëzimi i tensioneve në atë rajon gjithashtu vë në rrezik përpjekjet amerikane për të ndërmjetësuar një afrim mes Arabisë saudite dhe Izraelit, ku mbretëria saudite do të normalizonte marrëdhëniet me Izraelin në këmbim të një marrëveshjeje në fushën e mbrojtjes mes Uashingtonit dhe Riadit.
Të premten që lamë pas Zyrtarët sauditë iu thanë atyre të shtëpisë së bardhë se ishin të gatshëm të rrisnin prodhimin vitin e ardhshëm si pjesë e marrëveshjes me Izraelin.
Riadi dhe Moska ndërkohë kanë rënë dakord për një reduktim të kombinuar të prodhimit me 1.3 milionë fuçi në ditë deri në fund të 2023-it.
Sulmet do të shtyjnë afrimin mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, sëbashku me pritshmëritë se Riadi do të reduktojë tepricën prej 1 milionë fuçi në ditë të prodhimit të tij, nëse çmimet rifillojnë rënien, thonë ekspertët, të cilët gjithashtu shprehen se nëse në konfliktin aktual në lindjen e mesme futet dhe Irani, do të rrezikohet 3 përqind e ofertës botërore të naftës.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




