SHBA paralajmëron: Rreziku për sulme ekstremiste përpara zgjedhjeve presidenciale

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka paralajmëruar se rreziku i incidenteve të dhunshme nga organizatat ekstremiste mbetet i lartë me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024.
Sipas departamentit, ekstremistët e motivuar nga urrejtja racore dhe etnike dhe që mbrojnë luftën racore përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e SHBA.
“Në vitin 2024, ne presim që kërcënimi i akteve të dhunshme nga ekstremistët e dhunshëm të radikalizuar në SHBA të mbetet i lartë. Të gjithë këta ekstremistë “do të vazhdojnë të frymëzohen dhe motivohen nga një përzierje e teorive konspirative, ankesave personale dhe ideologjive me prirje raciste, fetare dhe anti-qeveritare”, tha DHS në vlerësimin e saj vjetor të rrezikut.
DHS paralajmëron gjithashtu, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, rrezikun e paraqitur nga ekstremistët e frymëzuar nga teoritë e konspiracionit dhe ankesat kundër qeverisë.
Këto të fundit mund të kërkojnë të “pengojnë procesin zgjedhor”, vlerëson raporti, duke iu referuar veprimeve dhe kërcënimeve të mundshme të dhunshme ndaj qeverisë, zyrtarëve zgjedhorë dhe votuesve.
Përveç kësaj, gjithmonë sipas DHS-së, “Rusia, Kina dhe Irani ka të ngjarë t’i shohin zgjedhjet e 2024 si një mundësi për të kryer fushata ndikimi, të hapura apo të fshehta”, në mënyrë që të sigurojnë rezultate “të favorshme për ta” dhe/ose “minojnë stabilitetin” e SHBA-ve”.
Qindra njerëz, duke përfshirë disa anëtarë të organizatave ekstremiste, u përballën me ndjekje penale dhe disa u dënuan me burgim për rolet e tyre në sulmin në Kapitol më 6 janar 2021.
Gjatë dy viteve të fundit, disa nga këto organizata kanë kryer sulme kundër infrastrukturës energjetike dhe telekomunikuese, veçanërisht termocentraleve, me qëllim që të futin frikën dhe të destabilizojnë shoqërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




