Ligjvënës suedezë do të bojkotojnë ceremoninë e Nobelit, pas ftesës së Rusisë

Botë | 3 vite më parë

Disa ligjvënës suedezë kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë ceremonitë e çmimit Nobel të këtij viti pasi fondacioni privat që administron çmimet prestigjioze ndryshoi politikën e tij dhe ftoi Rusinë, Bjellorusinë dhe Iranin, të cilëve më parë u ishte ndaluar të merrnin pjesë.

Fondacioni Nobel tha se ftesat për ngjarjet e vitit 2023 u janë drejtuar të gjitha vendeve me misione diplomatike në Suedi dhe Norvegji, pasi kjo “promovon mundësi për të përcjellë mesazhet e rëndësishme të çmimit Nobel për të gjithë”.

Vitin e kaluar, të dërguarit diplomatikë të Rusisë dhe Bjellorusisë u ndaluan të merrnin pjesë në ceremonitë e çmimeve dhe banketet për shkak të luftës në Ukrainë, dhe ambasadori i Iranit u përjashtua gjithashtu për shkak të “situatës serioze dhe në përshkallëzim” në vend.

Çmimi Nobel i Paqes 2022 u nda nga aktivisti i burgosur bjellorus i të drejtave Ales Bialiatski, grupi rus Memorial dhe organizata ukrainase Qendra për Liritë Civile. Çmimi u pa si një qortim i fortë ndaj sundimit autoritar të presidentit rus Vladimir Putin.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson i tha agjencisë suedeze të lajmeve TT se nuk do ta kishte lejuar Rusinë të merrte pjesë nëse do të kishte qenë zgjedhja e tij.

Fondacioni gjithashtu njoftoi se po u bënte ftesë të gjitha partive politike në Suedi dhe Norvegji “që kanë përfaqësim parlamentar nëpërmjet zgjedhjeve demokratike”.

Fituesit e çmimit Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme