Rrëzimi i avionit të Prigozhin/ Rusia: Akuzat se u vra nga Putin, gënjeshtër absolute

Kremlini u shpreh këtë të premte (25 gusht) se sugjerimet nga Perëndimi se kreu i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, u vra me urdhër të tij janë spekulime dhe absolutisht të gënjeshtërta.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se po vijon hetimi për rrëzimin e avionit ku humbën jetën Prigozhini dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Në Perëndim, sigurisht që të tilla spekulime vijnë nga kënde të caktuara. Janë tërësisht një gënjeshtër. Kur flasim për një çështje si kjo, duhet të nisemi gjithmonë nga faktet. Në këtë moment nuk kemi shumë fakte dhe ato duhen sqaruar nga hetimi zyrtar që ka nisur,” u shpreh Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit konfirmoi se presidenti Vladimir Putin nuk ishte takuar prej kohësh me Prigozhinin.
Ai gjithashtu u shpreh se është e pamundur të thuhet nëse Putini do të marrë pjesë në funeralin e ish-udhëheqësit të grupit Wagner për shkak të agjendës shumë të ngjeshur të presidentit rus.
Mercenarët e Wagner-it morën nën kontroll qytetin rus të Rostovit dhe u urdhëruan të marshonin drejt Moskës pas një rebelimi të udhëhequr nga Prigozhini.
Rebelimi, nga i cili Prigozhini hoqi dorë pas ndërmjetësimit të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, u cilësua nga Putini si “thikë tradhtare pas shpine”.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




