Rusia bllokon sulmin me 42 dronë, në tetor SHBA stërvit pilotët ukrainas për F-16

Rusia ndali të premten (25 gusht) sulmin më të madh me dronë luftarakë nga Ukraina, duke shkatërruar 42 mjete fluturues të nisur nga territori i rivalit.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se 9 prej dronëve u shkatërruan mbi territorin e gadishullit të Krimesë, ndërsa 33 të tjerët u shmangën nëpërmjet “metodave elektronike” dhe u përplasën në tokë pa e arritur objektivin.
Të premten, Moska shmangu edhe një goditje me raketë në rajonin e Kalugës afër saj, informoi ministria ruse.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se në tetor do të fillojë stërvitja e pilotëve ukrainas për të drejtuar avionët luftarakë F-16.
Njoftimi erdhi pasi Norvegjia u bë vendi i treti që konfirmoi se do i dërgojë Ukrainës avionë F-16, njësoj si Danimarka dhe Holanda, për të mbrojtur hapësirën e saj nga agresioni rus.
Konflikti Rusi–Ukrainë vijon të kushtojë jetë ushtarësh në fushëbetejë dhe këtë javë pala ruse humbi edhe udhëheqjen e grupit mercenar që prej muajsh ishte aktivizuar në tokën ukrainase.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ngushëlloi një ditë më parë familjarët e krerëve të grupit mercenar Wagner, mes tyre edhe udhëheqësin Yevgeny Prigozhin, që dikur ishte i besuari i tij.
“Prigozhinin e kam njohur prej kohësh, që nga vitet ’90. Ka qenë burrë i talentuar, biznesmen i talentuar,” u shpreh presidenti Putin. /AFP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




