Helmimi i Navalnit, SHBA sanksionon katër rusë

Botë | 3 vite më parë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj katër rusëve, që akuzohen se kanë qenë të përfshirë në helmimin e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny në vitin 2020.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se katër individët e sanksionuar besohet se janë të lidhur me Shërbimin Federal rus të Sigurisë (FSB).

“Sot ne i kujtojmë Vladimir Putit dhe regjimit të tij se ka pasoja jo vetëm për nisjen e luftës brutale dhe të paprovokuar kundër Ukrainës, por po ashtu për shkeljen e të drejtave të njeriut të popullit rus,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian Nelson përmes një deklarate.

“Tentim-vrasja ndaj Aleksei Navalnyt më 2020 paraqet përbuzjen që Kremlini i bën të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të përdorim autoritetin që kemi në dispozicion për të bërë përgjegjës xhelatët e mundshëm të Kremlinit,” shtoi ai. 

Navalny, i cili që nga viti 2010 ka organizuar protesta masive në Rusi, u arrestua në janar të vitit 2021, pasi u kthye nga Gjermania.

Ai ishte trajtuar në Gjermani lidhur me atë që mjekët perëndimorë thanë se ishte helmim me një agjent nervor të epokës sovjetike.

Navalny ka akuzuar Kremlinin se qëndron pas helmimit, por Kremlini i ka mohuar këto akuza.

Gazetar Artur Mata

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme