Departamenti i Drejtësisë urdhër gjyqtarëve: Ndaloni Donald Trumpin të bëjë publike provat e hetimit

Prokurorët federalë i kanë kërkuar gjyqtarit që mbikëqyr çështjen e ish-presidentit Trump që ta ndalojë atë të bëjë publike provat që janë mbledhur kundër tij, duke shtuar se publikimet në rrjetet sociale mund të dekurajojnë dëshmitarët.
Prokurorët i kanë kërkuar gjykatëses Tanya Chutkan të vendosë rregulla të rrepta që ndalojnë Trumpin të diskutojë detaje rreth çështjes teksa ekipi i tij ligjor po shqyrton materialet gjatë procesit.
“Një kufizim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm në këtë rast, sepse i pandehuri ka lëshuar më parë deklarata publike në rrjetet sociale, në lidhje me dëshmitarët, gjyqtarët, avokatët dhe të tjerë që lidhen me çështje ligjore që janë në pritje kundër tij”, shkruajnë prokurorët.
Urdhrat mbrojtës janë relativisht të zakonshëm në çështjet penale, por prokurorët thanë se ishte e rëndësishme në rastin e 6 janarit për shkak të historisë së postimeve të zotit Trump në mediat sociale.
Trump akuzohet për vepra penale të cilat nisin që me komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe privimin e qytetarëve nga të drejtat e tyre.
Trump nuk i ka pranuar akuzat dhe ka deklaruar se është i pafajshëm ndërsa e cilëson procesin ndaj tij si përpjekje që synon të minojë fushatën e tij presidenciale të vitit 2024.
Prokurorët thanë se zoti Trump kishte shkruar postime të shumta që përmendnin ose nënkuptonin procesin gjyqësor ndaj tij, përfshirë atë të cituar në dosjet e tyre.
Ata paralajmëruan se Trump mund të zbulojë transkriptet e jurisë së madhe ose prova të tjera të marra në zbulim, të cilat “mund të kenë një efekt të dëmshëm te dëshmitarët ose të ndikojnë negativisht në administrimin e drejtë të drejtësisë në këtë rast”.
“Urdhri i propozuar synon të parandalojë shpërndarjen ose përdorimin e materialeve. Një kufizim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm në këtë rast, sepse i pandehuri ka lëshuar më parë deklarata publike në mediat sociale në lidhje me dëshmitarët, gjyqtarët, avokatët dhe të tjerët që lidhen me çështje ligjore që janë në pritje kundër tij”, shkruajnë prokurorët.
Ekipi ligjor i zotit Trump ka të ngjarë t’i përgjigjet urdhrit të propozuar mbrojtës me një përmbledhje ligjore të tyren, por është e paqartë se kur do të depozitohet.
Gjatë seancës gjyqësore të së enjtes, gjyqtarja e magjistraturës amerikane Moxila Upadhyaya lëshoi një paralajmërim për zotin Trump që zakonisht nuk u jepet të pandehurve në gjykime, shkruan Washtington Times.
“Dua t’ju kujtoj se është krim të përpiqesh të ndikosh një jurist, të kërcënosh ose tentosh të korruptosh një dëshmitar ose ndonjë person tjetër që mund të ketë informacion për çështjen tënde, ose të hakmerresh ndaj kujtdo që ka dhënë informacion në lidhje me çështjen”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




