Kina mesazh SHBA-së: Presionet dhe kufizimet ekonomike nuk mund të ndalin zhvillimin tonë

Kina ka përcjellë mesazhin se përpjekjet e SHBA-së për të penguar dhe kufizuar kryesisht prodhimin e çipave në fushën e teknologjisë, nuk do ta ndalin zhvillimin e vendit, përkundrazi, do të rrisin vendosmërinë e tij për të qenë inovativ dhe i vetëmjaftueshëm.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, vlerësoi intervistën që kreu i Shoqatës së Industrisë së Gjysmëpërçuesve të SHBA-së, John Neuffer, ka bërë për “Bloomberg”, duke u shprehur se Kina është “tregu më i madh” i prodhuesve amerikanë të çipave dhe se administrata amerikane dëshiron të hyjë në treg pavarësisht shqetësime të sigurisë kombëtare.
Prej një kohe SHBA-ja ka sforcuar kufijtë e saj të konceptit të sigurisë kombëtare për të vazhduar hegjemoninë e saj, keqpërdori masat e saj të kontrollit të eksporteve dhe u drejtua në rrugën e kufizimit të eksporteve në Kinë, tha Mao, e cila deklaroi “Presionet dhe kufizimet ekonomike nuk mund të ndalin zhvillimin e Kinës, ato vetëm rrisin vendosmërinë për të qenë inovativ dhe të vetëmjaftueshëm”.
Mao vuri theksin se Kina është tregu më i madh në botë i gjysmëpërçuesve dhe se shkëputja e lidhjeve ekonomike, ndërprerja e zinxhirëve furnizues dhe ndërprerja e funksionimit të tregut nuk do të jetë në interesin e asnjë pale.
Duke theksuar se SHBA-ja po përpiqet të pengojë ose kufizojë jo vetëm Kinën, por edhe shumë vende në zhvillim, Mao deklaroi “SHBA-ja dëshiron që t’ua heqë zhvillimin dhe përparimin teknologjik, që është një e drejtë e vendeve në zhvillim, dhe t‘i mbajë ato në fund të zinxhirit industrial”.
Ndër të tjera, Mao theksoi se Kina, duke ndarë mundësitë me vendet e tjera, është e hapur ndaj zhvillimit të përbashkët dhe në të njëjtën kohë do të mbrojnë interesat dhe të drejtat legjitime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




