Zelensky: Nuk e sulmuam Putinin, ne luftojmë në territorin tonë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mohuar se vendi i tij është përgjegjës për atë që Rusia thotë se ishte një atentat kundër presidentit rus Vladimir Putin, pas një sulmi me dron në Kremlin.
“Ne nuk sulmojmë Putinin apo Moskën”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp në Helsinki ndërsa shtoi më tej se Ukraina nuk kishte armë të mjaftueshme për të kursyer në incidente të tilla, raporton CNN.
“Ne luftojmë në territorin tonë, ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona. Ne nuk kemi armë të mjaftueshme për këtë. Kjo është arsyeja pse ne nuk e përdorim atë askund tjetër. Për ne ky është deficiti, ne nuk mund ta shpenzojmë apo të shpërdorojmë armët”, argumentoi Zelensky.
“Ne nuk e sulmuam Putinin. Ne ia lëmë gjykatës”, shtoi ai.
Autoritetet ruse thanë se gjatë sulmit të supozuar ndaj rezidencës së Presidentit Putinit, ishin përdorur dy dronë, të cilët arritën të asgjesohen nga mbrojtja e Kremlinit.
Udhëheqësi ukrainas mori pjesë të mërkurën në një samit në Helsinki, duke mbledhur liderët e pesë vendeve nordike.
Zelensky ripohoi se Ukraina synon të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa anëtarët nordikë të NATO-s lëshuan një deklaratë duke deklaruar se “do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit të ardhshëm“.
“Ukraina është tashmë një anëtare de facto e NATO-s dhe ne në fakt po bashkëpunojmë për hir të mbrojtjes së përbashkët”, tha nga ana e tij Zelensky.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




