Lidhja e ngushtë e Orbanit me Putinin/ Hungaria: Kemi paguar çmimin më të lartë për luftën në Ukrainë

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Ekonomisë së Jashtme Peter Szijjarto ka deklaruar se Hungaria ka paguar një çmim jashtëzakonisht të lartë për luftën në Ukrainë.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe qeveria e tij kanë qenë gjithmonë aleati më i afërt i Kremlinit brenda bllokut evropian, duke çuar në marrëdhënie të vështira diplomatike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pasi Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Orbán ishte lideri më ngurrues i Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka shprehur kundërshtime ndaj vendeve perëndimore që dërgonin armë në Ukrainë.
Komentet e Szijjártó erdhën pasi Zelensky u tha gazetarëve në një intervistë gjatë fundjavës se sjellja e Hungarisë ka qenë “e papërshtatshme”, duke kritikuar shtetin anëtar të NATO-s për përpjekjet e shumta për të bllokuar Ukrainën që të bashkohet me aleancën ushtarake transatlantike.
“Unë besoj se kjo është sjellje e papërshtatshme. Po jap mendimin tim subjektiv. Aleati nuk është vetëm një fjalë, është në substancë. Është një bashkim shtetesh me të njëjtin këndvështrim për sigurinë dhe për vlerat. Ata trajtojnë momente të caktuara, por ka një marrëveshje mes aleatëve, të cilët mbrojnë njëri-tjetrin dhe vlerat e tyre përkatëse”, u shpreh Zelensky, transmeton CNN.
Szijjártó tha se hungarezët kanë ofruar “ndihmë të vazhdueshme” për Kievin dhe “kanë pranuar dhe kujdesur për më shumë se një milion refugjatë nga Ukraina”, në një postim në Facebook të dielën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




