Papa Françesku në Hungari: Hapni dyert për emigrantët. Vatikani në mision për t’i dhënë fund luftës ruse

Papa Françesku u ka kërkuar hungarezëve që të “hapin dyert” për emigrantët, në përmbyllje të vizitës së tij 3-ditore në Hungari. Në fjalën e tij të mbajtur në një meshë të hapur në Budapest, Papa deklaroi se është “e trishtueshme dhe e dhimbshme” të shohësh dyer të mbyllura për njerëzit që siç theksoi ai, “nuk janë si ne”.
“Dyert e mbyllura të egoizmit tonë ndaj të tjerëve… dyert që i mbyllim ndaj atyre që janë të huaj apo ndryshe nga ne, ndaj emigrantëve apo të varfërve”, tha Papa.
Deri në 100,000 njerëz morën pjesë në meshë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban. Ky i fundit ka kritikuar migrimin, duke ndërtuar një gardh kufitar me tela me gjemba për të ndaluar emigrantët të kalojnë në Hungari.
Vizita tre-ditore ishte udhëtimi i parë i Papa Françeskut në Hungari që kur u bë Papë 10 vjet më parë. Ajo që e ka mbajtur larg, është qëndrimi i ashpër anti-migrant i Orban, në kontrast me dhembshurinë e tij për të gjithë refugjatët.
Duke iu drejtuar turmës pranë ndërtesës së parlamentit hungarez të dielën, Papa Françesku iu lut të gjithëve, përfshirë “atyre me përgjegjësi politike dhe sociale”, të jenë më të hapur.
Sakaq, duke qenë se Hungaria dhe Ukraina ndajnë një kufi prej 134 km (85 milje), në fjalën e tij gjatë meshës, Papa u ndal dhe te lufta në Ukrainë, ku bëri me dije se Vatikani ishte përfshirë në një mision paqeje në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.
“Ka një mision në rrjedhë tani, por nuk është ende publik. Kur të jetë publik, do ta zbuloj“, tha ai, raporton BBC.
Ai tha gjithashtu se Vatikani ishte i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e kthimit të fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi që nga pushtimi. Kievi thotë se mijëra fëmijë ukrainas janë deportuar në Rusi dhe e quan atë një krim lufte. Ndryshe nga liderët e tjerë të Bashkimit Evropian, Orban ka refuzuar të mbështesë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbajtur marrëdhënie me presidentin rus Vladimir Putin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




