Sudan/ Armëpushimi zgjatet, por luftimet vazhdojnë

Botë | 4 vite më parë

Dhuna po përshkallëzohet në Sudan, me shkatërrime dhe plaçkitje në Darfur dhe granatime të rënda në Khartoum, në ditën e trembëdhjetë të luftës midis ushtrisë dhe paraushtarakëve, e cila ka marrë jetën e shumë njerëzve.

Drejtuesit rivale të ushtrisë sudane kanë rënë dakord të rinovojnë një armëpushim tre-ditor, pak para se të skadonte. Zgjatja – për 72 orë të tjera -pason përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA, MB dhe OKB. Por duket se kjo marrëveshje nuk është zbatuar pasi ka raporte të vazhdueshme për luftime të ashpra në kryeqytetin Khartoum.

Armëpushimi i mëparshëm lejoi mijëra njerëz të përpiqeshin të iknin drejt sigurisë, ndërsa dhjetëra vende janë përpjekur të evakuojnë qytetarët e tyre.

Pothuajse dy javë luftime midis ushtrisë dhe një grupi rival paraushtarak kanë lënë qindra të vdekur. Sudani i Jugut ka ofruar të presë bisedimet e paqes dhe ushtria ka rënë dakord të dërgojë përfaqësues në bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni po punonte “shumë aktivisht” për të zgjatur armëpushimin, duke shtuar se megjithëse i papërsosur ai kishte reduktuar dhunën.

Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre më vonë tha se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.

Ministrja e Jashtme në qeverinë civile, Maryam al-Sadiq al-Mahdi, i tha BBC-së nga shtëpia e saj në Khartoum se pavarësisht armëpushimit, civilët po jetonin ende në frikë. “Ajo që ata e quajnë armëpushim nuk ka të bëjë me atë që po ndodh,” tha ajo për programin World Tonight të Radio Four. Bombardimet nga aeroplanët po ndodhin pothuajse gjatë gjithë ditës dhe natës.

Luftimet janë raportuar gjithashtu në rajonin perëndimor të Darfurit dhe provinca të tjera.

Të paktën 512 njerëz janë vrarë në luftime dhe pothuajse 4200 janë plagosur gjatë përplasjeve mes palëve.

Luftimet shpërthyen më 15 prill si rezultat i një lufte të ashpër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe RSF. Të dy palët kanë frikë nga humbja e pushtetit në Sudan, sepse në të dyja palët ka burra që mund të përfundojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në Darfur pothuajse 20 vjet më parë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme