Roja i kampit nazist Josef Schütz vdes në moshën 102-vjeçare

Ka vdekur në moshën 102-vjeçare personi më i vjetër i dënuar për krime të kryera gjatë Holokaustit.
Josef Schütz u shpall fajtor qershorin e kaluar për asistim në vrasjen e mijëra të burgosurve në Sachsenhausen afër Berlinit midis 1942 dhe 1945.
Ai u dënua me pesë vite burg, por mbeti i lirë ndërsa priste rezultatin e një apeli në Gjykatën Federale të Drejtësisë.
Schütz e kishte mohuar gjithmonë se ishte roje SS në kampin nazist të përqendrimit.
Ai u shpall fajtor për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 3518 personave. Ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor në pushkatimin e robërve sovjetikë të luftës dhe vrasjen e të tjerëve me gazin Zyklon B.
Dhjetëra mijëra njerëz vdiqën në Sachsenhausen gjatë Luftës së Dytë Botërore nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe vrasja nga SS.
Schütz nuk shprehu keqardhje gjatë gjyqit të tij, duke i thënë gjykatës gjermane: “Unë nuk e di pse jam ulur këtu në koshin e mëkatit. Unë me të vërtetë nuk kisha asnjë lidhje me të.”
Pavarësisht emrit të tij dhe detajeve të lindjes që gjenden në dokumentet e një roje SS, ai pretendoi se nuk kishte qenë në kamp dhe në vend të kësaj kishte punuar si punëtor ferme citon BBC.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




