Biseda mes presidentit kinez dhe Zelensky-it, Franca inkurajon dialogun për Ukrainën

Zyra e presidentit francez Emanuel Macron ka deklaruar se Parisi inkurajon dialogun që kontribuon në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë në përputhje me interesat themelore të Ukrainës dhe të drejtës ndërkombëtare.
Këtë qëndrim Macron e shfaqi pas bisedës telefonike midis presidentit ukrainas dhe kinez.
Elysee tha se ky ishte i njëjti mesazh që presidenti francez Emmanuel Macron i përcolli homologut të tij kinez gjatë vizitës së tij në Kinë këtë muaj.
Gjatë kësaj vizite, Macron i tha presidentit kinez Xi Jinping se po mbështetej tek ai për të arsyetuar me Rusinë dhe për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në atë kohë, Macron tha se Rusia “i kishte dhënë fund dekadave të paqes në Evropë” dhe se gjetja e një “paqeje të qëndrueshme” që respektonte kufijtë e njohur ndërkombëtarisht ishte “një çështje e rëndësishme për Kinën, po aq sa është për Francën dhe Evropën.”
Macron theksoi gjithashtu nevojën për diskutim përfshirë Rusinë.
“Ne nuk duam thjesht një fund të konfliktit, por respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, i cili është kushti i vetëm për paqe të qëndrueshme”, tha ai transmeton CNN.
Duke folur para gazetarëve së bashku me Macron, Xi tha se Kina ishte e gatshme të bëjë apel së bashku me Francën për komunitetin ndërkombëtar që të jetë i përmbajtur dhe të shmangë marrjen e veprimeve që mund të shkaktojnë përkeqësim të mëtejshëm të krizës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




