Konflikti i armatosur në Sudan/ Të dyshuarit për krime lufte dalin nga burgu dhe lëvizin lirisht

Një ish-politikan sudanez i kërkuar për krime kundër njerëzimit ka thënë se ai dhe ish-zyrtarët e tjerë nuk janë më në burg.
Ahmad Harun ishte mes atyre që mbaheshin në burgun Kober në kryeqytetin Khartoum, të cilët po përballen me akuza nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (IÇ).
Konflikti filloi më 15 prill nga lufta e ashpër për pushtet midis udhëheqësve të ushtrisë së Sudanit dhe një grupi rival paraushtarak.
Raportet dolën në fillim të kësaj jave nga burgu në Kober – ku Ahmad Harun po vuante dënimin së bashku me Omar al-Bashir, ish-presidentin e Sudanit.
Të martën, Harun konfirmoi në një deklaratë të transmetuar në Tayba TV të Sudanit se ai dhe ish-zyrtarët e tjerë kishin dale nga burgu. Ai tha se do të ishte gati të paraqitej para gjyqësorit kurdo që ai të funksiononte.
Bashir u rrëzua nga ushtria pas protestave masive në 2019 dhe kishte vuajtur dënimin me burg për korrupsion.
79-vjeçari gjithashtu ka kaluar një periudhë në spitalin ushtarak dhe u zhvendos përsëri atje përpara se të shpërthenin armiqësitë.
Ai akuzohet gjithashtu nga IÇ për udhëheqjen e një fushate të vrasjeve masive dhe përdhunimeve në rajonin e Darfurit të Sudanit, gjë të cilën ai e mohon.
Harun gjithashtu ka mohuar më parë akuzat e IÇ kundër tij, të cilat janë të lidhura me nxitjen e dyshuar të dhunës kundër civilëve në Darfur. Ai u arrestua në vitin 2019 pas grushtit të shtetit kundër Bashirit.
Që atëherë, vendi ka përjetuar trazira të shpeshta dhe disa përpjekje të tjera për grusht shteti, transmeton BBC.
Armëpushimi në Sudan ka lejuar disa vende të evakuojnë shtetasit e tyre jashtë vendit. Një fluturim i dytë evakuimi shpëtoi disa shtetas të Mbretërisë së Bashkuar nga Sudani duke i zbarkuar në Qipro , ndërsa u evakuuan më shumë se 1600 njerëz nga dhjetëra vende duke mbërritur në Arabinë Saudite.
Në Sudan vazhdon armëpushimi i vendosur prej 72-orësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




