Talibanët vrasin ideatorin e sulmit me bombë që goditi aeroportin e Kabulit

Talibanët e Afganistanit kanë bërë të ditur se kanë vrarë personin që mendohet të jetë ideatori i sulmit shkatërrues me bombë që goditi aeroportin e Kabulit në 2021-in.
Si pasojë e atij sulmi, humbën jetën 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë ndërsa njerëzit po përpiqeshin të largoheshin nga ai vend pasi talibanët morën pushtetin.
Kreu i grupit terrorist të shtetit islamik, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është vrarë disa javë më parë, por zyrtarë amerikanë janë shprehur se u desh kohë për konfirmimin e vdekjes së tij.
Të njëjtët zyrtarë u shprehën se përmes informacioneve të inteligjencës dolën në përfundimin se terroristi kishte vdekur, por nuk dhanë detaje të mëtejshme se si kishin mësuar që ai ishte përgjegjës për sulmin në aeroport.
“Ekspertët e qeverisë besojnë se ky individ është me të vërtetë përgjegjës për sulmin”, u shpreh një zyrtar i lartë amerikan për CBS.
Sipas New York times, SHBA ishte vënë në dijeni të vdekjes së ideatorit të sulmit në fillim të muajit prill. Është e paqartë nëse ai ishte shënjestruar nga talibanët apo ishte vrarë gjatë luftimeve që vijojnë mes luftëtarëve të ISIS dhe talibanët. Ndërkohë, qeveria amerikane filloi të njoftonte familjet e ushtarëve të vrarë gjatë sulmit për vdekjen e ideatorit të tij.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




