Konflikti në Sudan/ Banorët largohen nga kryeqyteti Khartoum ndërsa luftimet vazhdojnë

Mijëra civilë janë larguar nga kryeqyteti i Sudanit dhe vendet e huaja po përpiqen të evakuojnë qytetarët e tyre, mes ditës së pestë të luftimeve të ashpra. Njerëzit u larguan nga Khartoum me makina dhe në këmbë të mërkurën në mëngjes, ndërsa të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime tronditën qytetin.
Ndërkohë, zyrtarët në Japoni dhe Tanzani thonë se po shqyrtojnë misione për të evakuuar qytetarët e tyre. Eksodi pason armëpushimin e pambajtur të së martës midis fraksioneve ndërluftuese.
Ushtria sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) kishin rënë dakord për një armëpushim humanitar 24-orësh të martën, por armëpushimi u rrëzua brenda disa minutave nga nisja e propozuar.
Mohammed Alamin, një gazetar me qendër në Khartoum, i tha BBC se të shtënat nuk kishin pushuar, pavarësisht armëpushimit të supozuar.
“Është me të vërtetë e tmerrshme, këto palë ndërluftuese po qëllojnë në mënyrë të rastësishme kudo. Unë pashë, vetë, qindra njerëz që iknin jashtë Khartoum, duke nxituar për të udhëtuar në shtetet fqinje”, tha ai.
Luftimet për momentin përfshijnë kryesisht granatime, jo bombardime të rënda ajrore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




