Lufta në Ukrainë, BE fut grupin mercenar rus Wagner në listën e sanksioneve

Bashkimi Europian ka shtuar grupin mercenar rus Wagner, në listën e tij të sanksioneve për pjesëmarrje në agresionin rus ndaj Ukrainës.
Wagner, që ka udhëhequr betejat ruse si ato për pushtimin e Bahmutit dhe Soledarit, ishte futur edhe njëherë tjetër në listë europiane të sanksioneve por për dhunim të të drejtave të njeriut dhe destabilizim të vendeve në Afrikë.
Fakti që BE e ka future Wagner dy herë në listë sanksionesh, vë në dukje dimensionin ndërkombëtar dhe seriozitetin e aktiviteteve të grupit, si dhe ndikimin destabilizues që ai ka në vendet ku është aktiv, u shpreh këshilli europian në një deklaratë.
Pëvec Wagnerit, në liste sanksionesh BE ka futur edhe RIA FAN, një media ruse që është pjesë e grupit mediatik Patriot, bordi drejtues i të cilit udhëhiqet nga kreu i Wagner.
Një OFJ ruse si dhe një person që ka dezertuar nga Wagner pretendojnë ndërkohë që luftëtarët e Wagner janë përgjegjës për prerjen e kokës së një ushtari ukrainas, një incident ky i dokumentuar nga një video që ka qarkulluar sëfundmi nëpër rrjetet sociale.
Prigozhin ka mohuar përfshirjen e grupit të tij në ngjarje, ndërkohë që Rusia ka bërë të ditur se ka hapur një hetim për videon. Ndërkaq, subjektet dhe individët që janë pjesë e listës së sanksioneve të Bashkimit Europian dënohen me ngrirje e aseteve që mund të kenë në BE, ndalim të udhëtimit drejt vendeve të bllokut si dhe bllokim të marrjes së financimeve që mund të marrin nga ndonjë shtetas apo kompani europiane.
Gazetare: Elda Pepa
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




