Sanksionet/ SHBA godet 120 objektiva që mbështesin pushtimin rus në Ukrainë

Botë | 4 vite më parë

Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione ndaj mbi 120 personave dhe subjekteve ruse në vijim të kundërpërgjigje ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

Sanksionet kanë targetuar një kompani private ushtarake, një firmë me bazë në Kinë dhe subjekte të lidhura me energjinë bërthamore shtetërore.

Sanksionet, e vendosura nga Departamenti i Thesarit dhe i Shtetit në bashkëpunim me Britaninë, goditën subjekte dhe individë në mbi 20 vende dhe juridiksione.

Thesari tha se vendosi sanksione ndaj vendeve që kanë krijuar lehtësi financiare ndaj rusëve dhe shmangësve të sanksioneve në mbarë botën, duke përfshirë Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe  kompanitë me bazë në Kinë.

Veprimet pasqyrojnë një përpjekje të qeverisë amerikane për të zgjeruar rrjetin e sanksioneve të SHBA-së të vendosura ndaj Moskës që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe për të shuar përpjekjet për t’i anashkaluar ato.

Një nga objektivat kryesorë ishte biznesmeni miliarder rus Alisher Usmanov, të cilin Thesari tha se kishte “në dispozicion të tij një rrjet të gjerë biznesesh dhe streha të sigurta financiare tek anëtarë të familjes përmes të cilëve mund të kryente transaksione financiare, duke i mundësuar atij të anashkalojë sanksionet.”

Departamenti i Shtetit tha se kishte në shënjestër kompaninë e biznesmenit, USM Holdings, së bashku me firma të shumta të tij. Vetë Usmanov ka qenë më parë nën sanksionet e SHBA-ve, transmeton Reuters. 

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër Rusisë dhe atyre që mbështesin luftën e saj në Ukrainë,” tha në një deklaratë Sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke thënë se kjo ishte në përputhje me “angazhimin e G7 për të imponuar pasoja të rënda ndaj aktorëve të vendeve të treta që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë”.

Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit për terrorizmin dhe inteligjencën financiare, tha se Uashingtoni dhe të tjerët do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të “ndërprerë skemat e evazionit që mbështesin Putinin në fushën e betejës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme