Tregëtia globale, Kina arrin marrëveshjen më të madhe ndërkombëtare

Kina vlerëson se zbatimi i plotë i Paktit të Partneritetit Gjithëpërfshirës Ekonomik Rajonal (RCEP) do të ndihmojë në zgjerimin e tregtisë dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të tjera anëtare.
Filipinet depozituan instrumentin e tyre të ratifikimit të marrëveshjes RCEP te Sekretari i Përgjithshëm i Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) më 3 prill, duke shënuar hapin përfundimtar drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes, thuhet në një deklaratë të Ministrisë kineze së Tregtisë.
Sipas rregullave të RCEP-it, marrëveshja e madhe tregtare do të hyjë në fuqi 60 ditë pas depozitimit të ratifikimit, kështu që për Filipinet, marrëveshja do të hyjë në fuqi më 2 qershor, raportoi gazeta China Daily, duke cituar Ministrinë e Tregtisë.
Ky veprim tregon se marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë në botë do të hyjë në fuqi të plotë për 15 vendet nënshkruese, thuhet në deklaratë.
Kina është partneri më i madh tregtar i Filipineve, burimi kryesor i importit dhe tregu i tretë më i madh i eksportit.
Në raport gjithashtu thuhet se në sektorët e shërbimeve dhe investimeve, Filipinet janë zotuar të hapin mbi 100 sektorë shërbimi dhe të hapin ndjeshëm shërbimet e transportit detar dhe ajror.
Marrëveshja e nënshkruar përfshin rreth 28 për qind të tregtisë ndërkombëtare, pothuajse 30 për qind të popullsisë së botës, mbi 30 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) dhe afër 30 për qind të investimeve të huaja direkte globale.
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




