Stërvitjet ushtarake/ Ministri i Jashtëm i Tajvanit: Kina duket se po nis një luftë kundër ishullit

Botë | 4 vite më parë

 

 

 

Një ditë pasi Kina simuloi “sulme të përbashkëta precize” në Tajvan gjatë stërvitjeve ushtarake rreth ishullit, Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu në një intervistë për CNN, ka dënuar veprimet e Pekinit dhe ka paralajmëruar se duket se po përpiqet të përgatitet për një luftë kundër Tajvanit.

“Shikoni stërvitjet ushtarake dhe gjithashtu retorikën e tyre, ata duket se po përpiqen të përgatiten për të nisur një luftë kundër Tajvanit. Qeveria Tajvaneze e shikon kërcënimin ushtarak kinez si diçka që nuk mund të pranohet dhe ne e dënojmë atë”, tha Wu.

Ai u shpreh se Kina duhet të mendohet mirë përpara se të vendosë të përdorë forcën kundër Tajvanit.

“Udhëheqësit kinezë do të mendojnë dy herë përpara se të vendosin të përdorin forcën kundër Tajvanit. Dhe pavarësisht nëse është 2025 apo 2027 apo edhe më tej, Tajvani thjesht duhet të përgatitet”, tha ai.

Stërvitjet duket se shënojnë herën e parë që marina kineze ka simuluar sulme nga avionët luftarakë me bazë në aeroplanmbajtëse në Tajvan.

Fotot e publikuara nga Shefat e Përbashkët të Japonisë duket se tregojnë aeroplanmbajtësen e marinës kineze Shandong duke lëshuar avionë në Oqeanin Paqësor në lindje të Tajvanit gjatë raundit aktual të stërvitjeve rreth ishullit.

Pekini nisi stërvitjet të shtunën, një ditë pasi presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen u kthye nga një vizitë 10-ditore në Amerikën Qendrore dhe Shtetet e Bashkuara, ku u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy dhe ligjvënës të tjerë amerikanë.

Pekini i përshkroi ato si “një paralajmërim serioz kundër marrëveshjes së fshehtë të forcave separatiste të Tajvanit me forcat e jashtme dhe një lëvizje e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”.

Pekini kreu stërvitje të ngjashme ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit gushtin e kaluar, pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi vizitoi ishullin.

Këto stërvitje përfshinin lëshimet e raketave kineze mbi ishull, diçka që nuk është parë deri më tani në stërvitjet aktuale.

Tajvani dhe Kina janë qeverisur veçmas që nga përfundimi i një lufte civile më shumë se shtatë dekada më parë, në të cilën nacionalistët e mundur u larguan në Taipei. Tajvani kaloi nga sundimi autoritar në një demokraci në vitet 1990 dhe tani renditet një nga juridiksionet më të lira në Azi nga Freedom House, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA.

Megjithatë, Partia Komuniste në pushtet e Kinës pretendon ishullin vetëqeverisës si territorin e saj dhe në vitet e fundit, ndërsa fuqia e tij është rritur, udhëheqësi kinez Xi Jinping i ka bërë të qarta ambiciet e tij për Ishullin.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme