Stërvitjet ushtarake/ Kina simulon goditjen e objektivave kyç në Tajvan

Kina ka simuluar sulme precize kundër objektivave kyçe në Tajvan dhe ujërat përreth tij gjatë ditës së dytë të stërvitjeve ushtarake. Stërvitjet, të cilat Pekini i ka quajtur një “paralajmërim të ashpër” për ishullin vetëqeverisës, janë një përgjigje ndaj presidentes së Tajvanit që vizitoi SHBA javën e kaluar.
Ndërsa ushtria kineze simulonte një rrethim të ishullit, SHBA i kërkoi Kinës të përmbahet.
Tajvani tha se të paktën 71 avionë kinezë fluturuan rreth ishullit të shtunën dhe se 45 avionë luftarakë ose kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, vijën ndarëse jozyrtare midis territorit tajvanez dhe kinez, ose fluturuan në pjesën jugperëndimore të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Operacioni, i quajtur “Shpata e Përbashkët” nga Pekini, do të vazhdojë deri të hënën. Të shtunën, zyrtarët e mbrojtjes në Taipei akuzuan Pekinin për përdorimin e vizitës së Presidentes Tsai në SHBA si një “arsyetim për të kryer stërvitje ushtarake, e cila ka dëmtuar seriozisht paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon”.
Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit kanë bërë thirrje për “përmbajtje dhe asnjë ndryshim të status quo-së”. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Taipein në favor të Pekinit në 1979, por është e detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet për t’u mbrojtur.
Presidenti i SHBA ,Joe Biden ka thënë në disa raste se SHBA do të ndërhynte nëse Kina do të sulmonte ishullin, por mesazhet amerikane kanë qenë të turbullta./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




