Lufta në Ukrainë/ Shefi i NATO-s: Kina po ndihmon ekonominë ruse

Botë | 4 vite më parë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Kina po ndihmon ekonominë ruse pasi kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë.

Stoltenberg e bëri këtë koment në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel me partnerët e Azisë dhe Paqësorit: Japoninë, Korenë Jugore, Australinë dhe Zelandën e Re, për sfidat në rritje, që kanë burim Kinën.

“Kina refuzon të dënojë agresionin e Rusisë. I bën jehonë propagandës ruse. Dhe kjo është mbështetje për ekonominë e Rusisë. Në kohën kur Pekini dhe Moska janë duke vepruar në kundërshtim me rregullin ndërkombëtar, është edhe më e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar”, ka deklaruar Stoltenberg.

Ky apel vjen edhe në një kohë kur presidenti francez, Emmanuel Macron, ka arritur në Pekin për të biseduar me liderin kinez, Xi Jinping.

Në kryeqytetin kinez Macron ka deklaruar se kushdo që ka ndihmuar Rusinë në luftën ndaj Ukrainës, do të shihet si “bashkëpunëtore”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se Pekini mund të luajë rol të rëndësishëm në gjetjen e rrugës për paqen në Ukrainë dhe ka insistuar se Evropa nuk duhet “të shkëputet” nga Kina.

Stoltenberg ka ritheksuar paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë. Ai ka thënë se NATO-ja, deri më tani, “nuk ka arritur të konfirmojë” që Pekini po dërgon armë në Rusi, transmeton Euronews. 

“Kina e di që do të kishte pasoja të rënda”, ka paralajmëruar ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme