Aktakuza ndaj Trump, çfarë ndodhi me vendet e tjera ku u ndoqën penalisht ish-udhëheqësit?

Botë | 4 vite më parë

Ndërsa Donald Trump është ish-presidenti i parë i SHBA që akuzohet për një vepër penale, edhe në vende të tjera shumë ish-udhëheqës e kanë gjetur veten në bankën e të akuzuarve.

Siç tregojnë disa nga këto raste, ndjekja penale për krime të supozuara nuk ka qenë pengesë për rikthimin në pushtet. Pra, cilët janë ish-udhëheqësit e profilit më të lartë që u përballën me akuza dhe çfarë ndodhi me ta?

Itali – Silvio Berlusconi

Katër herë kryeministri ka qenë i përfshirë në gjyqe të shumta penale. Ai, kohë më parë, pretendoi se ishte “njeriu më i persekutuar në të gjithë historinë e botës”.

Në vitin 2013, Berlusconi u dënua për seks me një prostitutë të mitur në atë që u bë e njohur si çështja “bunga bunga”.  Ai u lirua në apel në 2015. Prokurorët, në atë rast, pretenduan se dëshmitarët ishin blerë.

Ai u pa kryente një vit shërbim në komunitet për mashtrim tatimor në 2012 dhe mori një vit burg për shkelje të konfidencialitetit, pasi organizoi një përgjim policor për një prej rivalëve të tij politikë.

Ai në fakt nuk ka vuajtur në burg për shkak të moshës së tij. Berlusconi tha se ai ishte në shënjestër të prokurorëve të majtë të Milanos, të cilët po e ndiqnin në shenjë hakmarrje.

Brazil – Lula

Luiz Inacio Lula da Silva (Lula) shërbeu dy mandate si president, por më pas u shpall fajtor për marrjen e ryshfetit nga një firmë ndërtimi braziliane në këmbim të kontratave me kompaninë shtetërore të naftës braziliane Petrobras.

Ish-punëtori i metaleve bëri 580 ditë burg dhe i’u ndalua të kontestonte zgjedhjet e vitit 2018 përpara se dënimi i tij të anulohej dhe të kthehej në grindjen politike.

“Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë. Por ja ku jam,”- tha ai pasi mundi rivalin e ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, vitin e kaluar, duke shënuar një rikthim mahnitës në politikë.

Koreja e Jugut – Park Geun-hye

Park po vuante një dënim me 22 vjet burg përpara se të falej. Park ishte presidentja e parë femër e Koresë së Jugut dhe liderja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike, që u detyrua të largohej nga detyra.

Ajo u fajësua në vitin 2017 dhe më pas u dënua për shpërdorim të pushtetit për bashkëpunimin me një mik të ngushtë, Choi Tae-min, një udhëheqës kulti pseudo-kristian i quajtur “Rasputin Korean”.

Choi u zbulua se kishte përdorur lidhjen me Parkun për të bërë presion ndaj konglomerateve për miliona dollarë donacione. Në fund të vitit 2021 Park u fal nga presidenti i atëhershëm Moon Jae-in dhe u lirua nga burgu.

 Francë – Nicolas Sarkozy

Nicolas Sarkozy nuk ka kaluar asnjë ditë pas hekurave. Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u bë lideri i parë që u dënua me burg në vitin 2021. Ai u dënua me tre vjet burg për përpjekjen e tij për të korruptuar një gjykatës.

Atij ju pezulluan dy vite burg, por Sarkozy ende nuk e ka vuajtur kohën e mbetur, pasi e apeloi dënimin. Seanca e tij e apelit pritet të zgjasë me vite.

Ish-presidenti francez Zhak Shirak u shpall fajtor edhe për korrupsion në vitin 2011.  Ai u dënua me dy vjet burg me kusht.

Afrika e Jugut – Jacob Zuma

Ish-presidenti u dënua me 15 muaj burg pasi nuk mori pjesë në një hetim për korrupsion gjatë presidencës së tij. Ai u dorëzua në polici, por jo përpara një përplasjeje publike me protesta të dhunshme që çuan në vdekjen e më shumë se 300 njerëzve.

Zuma u përball me akuza për korrupsion dhe mashtrim. Ai u burgos në fund të të 70-tave për krime që ndodhën ndërsa ai shërbeu si president nga 2009 deri në 2018.

Malajzi – Najib Razak

Ish-kryeministri u burgos për 12 vite në të parën nga disa gjyqe për korrupsion shumë milionë dollarësh.  Skandali 1MDB rreth një fondi të pasurisë shtetërore në Malajzi, zbuloi një rrjet global mashtrimi dhe korrupsioni.

Najib mohon të gjitha keqbërjet dhe thotë se ai u mashtrua nga këshilltarët financiarë – veçanërisht financuesi i arratisur Jho Loë.

Ai u deklarua i pafajshëm për shkelje penale të besimit, pastrim parash dhe shpërdorim detyre dhe pasi u dënua, apeloi dënimin. Por një gjykatë e refuzoi apelin e tij dhe në gusht ai filloi dënimin e tij me burg.

Izrael – Ehud Olmert

Ish-kryeministri i vendit Ehud Olmert u dënua me dy vjet e tre muaj burg për mashtrim. Ai u lirua në fillim të vitit 2017. Olmert që atëherë është tërhequr nga politika, por u shpall fajtor për shpifje në nëntor të vitit të kaluar për komentet që ai bëri për kryeministrin actual, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu aktualisht është në gjyq me akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Tajlandë – Yingluck Shinawatra

Ish-kryeministrja u akuzua për neglizhencë për dështimin për të parandaluar humbjet e tepërta dhe korrupsionin në një skemë të subvencionimit të orizit nën administrimin e saj.

Qeveria e Yingluck u rrëzua nga ushtria në vitin 2014 dhe ajo u fajësua për rolin e saj në skemën e orizit një vit më vonë. Ajo tha se gjyqi ishte i motivuar politikisht.

Ajo u largua fshehurazi nga vendi në gusht 2017, pikërisht në momentin që do të paraqitej për një vendim dhe u dënua në mungesë me pesë vjet burg. Yingluck është motra e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra, i cili u rrëzua nga ushtria në vitin 2006.

Bolivi – Jeanine Áñez

Ajo po vuan një dënim prej 10 vitesh burg për atë që prokurorët thonë se ishte një grusht shteti për të rrëzuar paraardhësin e saj Evo Morales. Morales dha dorëheqjen dhe u largua nga Bolivia pasi shefi i ushtrisë i kërkoi atij të jepte dorëheqjen mes protestave mbi akuzat për manipulim votash pas zgjedhjeve të vitit 2019. Áñez mori detyrën si president i përkohshëm.

Por partia Mas e Morales fitoi zgjedhje të reja vitin e ardhshëm, duke i hapur rrugën atij për t’u kthyer në Bolivi nga Argjentina dhe për të marrë drejtimin e partisë. President u zgjodh kolegu i tij Luis Arce. Áñez ka thënë vazhdimisht se ajo është viktimë e një hakmarrjeje politike. BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme